2
Shkup, 15 dhjetor – Propozimi i Qeverisë për shkarkimin e kryeprokurorit Lupço Kocevski, pritet që të vendoset në seancën e nesërme në Kuvend. Kreu i Kuvendit Afrim Gashi, theksoi që gjatë ditës së sotme do t’i dërgohet ftesë edhe Kocevskit për të marrë pjesë në seancën plenare. Sipas Qeverisë, Kocevski duhet të shkarkohet nga detyra për shkak të qasjes joprofesionale dhe rrënimin e integritetit, reputacionit dhe funksionalitetit të Prokurorisë. Megjithatë, Kocevski, të gjitha këto pretendime i ka hedhur poshtë, duke i cilësuar të motivuara politikisht.
Kocevski në këtë detyrë erdhi në shkurt të vitit 2024 me votat e deputetëve të LSDM-së dhe BDI-së. Me ndërrimin e pushtetit, VMRO-DPMNE-ja paralajmëroi shkarkim. E nisi iniciativën në fillim të vitit 2025, por e pushoi për shkak të tragjedisë së Koçanit dhe pastaj për shkak të zgjedhjeve lokale.
Nëse Kuvendi e shkarkon Kocevskin, Këshilli i Prokurorëve duhet të emërojë një ushtrues detyre dhe menjëherë të fillojnë me procedurat për emërimin e prokurorit të ri.
Procedura fillon nga Kuvendi, i cili shpall konkurs për prokuror të shtetit, ndërsa afati për dorëzimin e kandidaturave është 15 ditë. Pastaj, për emrat e kandidatëve që i plotësojnë kushtet për prokuror, Këshilli i Prokurorëve duhet të japë mendim në afat prej 15 ose 30 ditësh.
Pas kësaj, Qeveria dorëzon në Kuvend emrin e njërit prej kandidatëve së bashku me mendimin e Këshillit të Prokurorëve.
Alsat paraprakisht i publikoi emrat e kandidatëve më seriozë për pasardhës të Kocevskit. Mes tyre janë prokurorët Zllatko Bikovski, Vlladimir Millosheski dhe Jovan Cvetanovski.
Burimi: zhurnal.mk


