Sheshi “Isa Boletini” po kthehet në qendër të festave të fundvitit me shtëpizat e gastronomisë dhe aktivitetet për festat, ndërsa Komuna e Mitrovicës ka ndarë 30 mijë euro për organizimin e programit festiv dhe mbështetjen e këtij projekti.
Në kuadër të projektit “Mitrovica Feston”, i cili mbështetet nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, parashihet të organizohen një sërë aktivitetesh në këtë komunë.
Arbër Hajra nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Mitrovicës së Jugut, ka thënë për KosovaPress se nga kjo drejtori janë ndarë 30.000 euro për organizimin e aktiviteteve festive.
“Komuna e Mitrovicës, DKRS-Sektori i kulturës i ka ndarë 30 mijë euro për organizimin e muajit të mërgatës gjatë verës dhe kremtimin e festave të fundvitit. Me këtë shumë është realizuar dekorimi i sheshit, pagesa e performuesve dhe aseteve të nevojshme për organizim“, tha Hajra.
Sipas tij, nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Mitrovicës së Jugut, kriteri për shfrytëzimin e shtëpizave ka qenë që aplikuesit të jenë të regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK).
“Kriteri i shfrytëzimit të shtëpizave ka qenë që aplikuesit duhet të jenë gastronom të regjistruar në ARBK, biznesi duhet të jetë aktiv dhe ta bëjnë një përshkrim rreth konceptit produktet që do t’i ofrojnë në shtëpizë në rast të përzgjedhjes së tyre për shfrytëzim”, ka thënë Hajra.
Aplikimi është bërë online, ndërsa thirrja paraprake është publikuar në rrjetet sociale të organizatorëve “Mitrovica Feston” dhe Shoqata Kulturo-Artistike “Ad Libitum”.
Sa i përket aktiviteteve festive, Arbër Hajra ka bërë të ditur se ato kanë filluar dhe do të zgjasin nga 20 dhjetori deri më 7 janar dhe në çdo mbrëmje do të ketë muzike me DJ, bende dhe këngëtarë të ndryshëm.
Arben Ademi, drejtor artistik i Shoqatës “Ad Libitum”, ka thënë për KosovaPress se në këtë vit “Isa Boletini” është shndërruar në shesh festiv “Mitrovica Feston“.
“Këtë vit në sheshin “Isa Boletini“ është vendosur sheshi festivë që quhet “Mitrovica Feston“ dhe janë të vendosura 10 shtëpiza druri, ndërsa qiraja është 900 euro”, tha ai.
Ademi ka treguar se brenda këtij çmimi përfshihen ”agjenda e koncerteve dhe dekorimi i një pjese të qytetit.”
Burimi: botasot.info


