Qytetarët e Podujevës do të kenë nga sot qasje në shërbimet e hemodializës brenda komunës së tyre. Deri më tani, këto shërbime i kanë marrë në Prishtinë. Vlera e projektit arrin në 2.5 milionë euro, prej të cilave 1.9 milionë janë investuar në pajisje mjekësore.
Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, deklaroi se funksionalizimi i këtij shërbimi është një zhvillim i rëndësishëm për qytetin, duke theksuar se qytetarët nuk do të kenë më nevojë të udhëtojnë jashtë komunës për të marrë trajtimin e nevojshëm.
Bulliqi: Është një projekt në vlerë prej 2.5 milionë euro që janë investuar deri më tash në total
“Është moment i veçantë për qytetarët e komunës sonë për arsye se nga sot e tutje për 32 pacientë të cilët kanë nevojë për këtë shërbim nuk do të kenë nevojë të bëjnë rrugë të gjata nga vise të ndryshme rurale gjithandej komunës dhe të shkojnë në Prishtinë për t’i kryer këto shërbime. Është shumë e rëndësishme që Ministria e Shëndetësisë dhe qeveria e vendit na ka ndihmuar shumë në këtë proces. Është një projekt në vlerë prej 2.5 milionë euro që janë investuar deri më tash në total. 1.9 milion të fundit edhe në aparatura. Objekti është ndërtuar me buxhetin e komunës”, tha Bulliqi.
Ndërkaq, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se përveç shërbimit të hemodializës, në spitalin e Podujevës shumë shpejtë do të ofrohen edhe shërbime të tjera specialistike.
Vitia: Tash po fillojmë me shërbimin e hemodializës, për pak do të fillojmë edhe me shërbime specialistike
“Tash po fillojmë me shërbimin e hemodializës. Për pak siç e tha kryetari do të fillojmë edhe me shërbime specialistike dhe tani të gjithë qytetarët e Komunës së Podujevës jo vetëm hemodializën që iu janë dashur të udhëtojnë deri në 80 e 90 kilometra për ta marrë këtë shërbim në komunën e Prishtinës, tash do ta marrin këtu. Së shpejti qytetarët e Komunë së Podujevës për çdo shërbim specialistik do ta kenë edhe vendin me një investim 2.5 milionë eurosh në bashkëpunim me Komunën e Podujevës”, tha Vitia.
Drejtoresha e Klinikës së Nefrologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Mimoza Ukimeraj, tha se pacientët nga Podujeva me hemodializë, deri para dhjetë vitesh janë trajtuar në Nefrologji ndërsa më pas ky shërbim u është ofruar në qendrën satelit në Kodrën e Trimave.
Ajo bëri të ditur se janë në proces të tenderimit për furnizimin me aparatura të reja dhe për servisimin e disa pajisjeve ekzistuese në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, në kuadër të shërbimeve të hemodializës.
Ukimeraj: Jemi një procedurat e tenderimit për të mbuluar të gjitha aparatet edhe në QKUK
“Pacientët që kanë nevojë për këtë shërbim do ta marrin në vendin e vet. Shumica e pacientëve janë edhe me shtëpi këtu afër poliklinikës. Këta pacientë shërbimin e kanë marrë në Qendrën Klinike Universitare ët Kosovës, në Klinikën e Nefrologjisë. Kurse dhjetë vitet e fundit për të pasur një rrugë më të shkurtër realizmin e seancave të dializës e kanë bërë në qendrën satelit në Kodrën e Trimave…Jemi një procedurat e tenderimit për të mbuluar të gjitha aparatet edhe në QKUK. Po servisohen prej operatorëve ekonomik, janë funksional, po kryejnë seanca. Jemi në procedura të tenderimit të aparateve të reja dhe të renovimit”, tha Ukimeraj.
Hemodializa është një procedurë mjekësore që përdoret për të pastruar gjakun te pacientët të cilët kanë dështim të veshkave ose mosfunksionim të rëndë të tyre. Kur veshkat nuk janë në gjendje të filtrojnë mbetjet dhe lëngjet e tepërta nga gjaku në mënyrë natyrale, hemodializa e kryen këtë funksion në mënyrë artificiale.
Burimi: botasot.info


