Detaje të reja janë zbardhur lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në zonën e Vrinës, Bashkia Konispol, ku u zbulua lëndë eksplozive e vendosur në automjetin e një 57-vjeçari. Bëhet fjalë për Mirash Gjikolën, 57 vjeç, person me precedent penal, i dënuar më herët me 8 vite burg për tentativë vrasjeje. Sipas burimeve policore, Gjikola ishte zhvendosur prej kohësh nga Lezha dhe jetonte aktualisht në Shëndëlli, pranë Konispolit.
Eksplozivi ishte vendosur në automjetin e tij dhe dyshohet se ishte i destinuar për t’u shpërthyer, por ngjarja u parandalua pasi vetë drejtuesi i mjetit e konstatoi gjatë lëvizjes dhe njoftoi menjëherë policinë.
Në vendngjarje ndërhynë forca të shumta policie, ekspertë të krimeve të rënda dhe reparti anti-eksploziv i RENEA-s, të cilët bënë çaktivizimin e lëndës shpërthyese.
Në lidhje me këtë ngjarje, policia ka shpallur në kërkim shtetasin Dedë Gjini, i cili dyshohet si person i përfshirë në vendosjen e eksplozivit. Hetimet po vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave, motivit të ngjarjes dhe identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të përfshirë.
Autoritetet nuk përjashtojnë pistën e hakmarrjes apo konfliktit të mëparshëm, duke marrë parasysh të kaluarën kriminale të 57-vjeçarit, ndërsa masa e sigurisë në zonë mbetet e shtuar.
Burimi: botasot.info


