Kreu i Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj vijon të qëndrojë prej më shumë se një ore jashtë dyerve ku mbahet mbledhja për zëvendëskryeministren Belinda Balluku.
Ai ka hedhur akuza se kryeministri Edi Rama synon të mbrojë veten e tij.
Po ashtu ai ngriti shqetësimin për presion nga ana e gardistëve.
“Filloi presioni, dhe këtu ka njerëz të ndershëm por ka edhe palaço. Vijnë këtu dhe fillojnë presionin. Ka gardistë të ndershëm por ka edhe palaço që vijnë bëjnë presionin. Mendojnë se do jenë përgjithmonë në pushtet. Por do ju vijë dita dhe po ju vjen shumë shpejt në fakt. Ku është shefi? Mund ta thërrisni? Jeni të Gardës edhe ju? Mund ta thërrisni shefin? Nëse është normale që garditëst të kalojnë këtu dhe bëjnë presion…Të shohim pak gangsterët që bredhin këtu nëpër parlament”, tha Shehaj.
Deputeti Erlad Kapri deklaroi se është informuar nga deputetë të opozitës se kreu i Grupit Parlamentar të PS ka kërkuar që mbledhja të bëhej me dyer të mbyllura. Sipas kjo është bërë për faktin që të mbaheshin të fshehta diskutimet dhe të vërtetat.
“Jam informuar nga kolegë të opozitës që Taulant Balla ka kërkuar që mbledhja të bëhet me dyer të mbyllura. Është thënë që përderisa i është drejtuar kuvendit përse mos ta dinë të gjithë deputetët. Taulant Balla thotë jo, kërkon të bëhet me dyer të mbyllura. Skandal. Kjo bëhet që ajo që thonë prokurorët në këtë sallë të mos bëhet e ditur.”, tha Kapri.
Burimi: botasot.info


