Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe India kanë arritur së fundmi një marrëveshje tregtare për të ulur tarifat e SHBA mbi mallrat në 18% nga 50%. Përmes një postimi në Truth Social Donald Trump tha se India do t’i reduktonte barrierat tregtare deri në zero dhe do të ndalonte blerjen e naftës ruse.
Njoftimi erdhi pak pasi India dhe Bashkimi Europian arritën një marrëveshje tregtare historike që i dha fund gati dy dekadave bisedimesh mes palëve, që është gati të dyfishojë eksportet e BE-së në Indi deri në vitin 2032 sipas Brukselit.
Kryeministri indian Narendra Modi tha në platformën X se është I kënaqur që arriti një marrëveshje me Uashingtonin. Presidenti amerikan tha se në telefonatën e tij me kryeministrin indian arritën dakordësi për disa pika.
Modi sipas Trump u zotua ndër të tjera që India të blejë mallra amerikane me vlerë mbi 500 miliardë dollarë në energji, teknologji, bujqësi dhe qymyr. Marrëdhëniet tregtare SHBA-Indi kanë qenë të tensionuara që prej gushtit, kush Trump vendosi tarifa 50% për mallrat nga India.
Ajo përfshinte edhe një tarifë 25% lidhur me blerjen e naftës ruse nga India. Por, pas marrëveshjes tashmë tarifat do të ulen në 18%. Eksportet indiane drejt Shteteve të Bashkuara ranë ndjeshëm pas hyrjes në fuqi të tarifave të Trump. Pas marrëveshjes tregtare me Indinë, aksionet amerikane u rritën ndjeshëm.
Burimi: opinion.al


