SHBA-të duan që Europa të marrë përsipër shumicën e kapaciteteve mbrojtëse konvencionale të NATO-s, nga inteligjenca te raketat, deri në vitin 2027, i thanë zyrtarët e Pentagonit diplomatëve në Uashington këtë javë, raporton Reuters.
Mesazhi, i rrëfyer nga pesë burime të njohura me diskutimin, përfshirë një zyrtar amerikan, u përcoll në një takim në Uashington këtë javë midis stafit të Pentagonit që mbikëqyr politikën e NATO-s dhe disa delegacioneve evropiane.
Diçka e tillë do të ndryshonte në mënyrë dramatike mënyrën se si SHBA-të, një anëtar themelues i aleancës së pasluftës, punojnë me partnerët e tyre më të rëndësishëm ushtarakë. Në takim, zyrtarët e Pentagonit treguan se Uashingtoni nuk ishte ende i kënaqur me progresin që ka bërë Evropa për të rritur kapacitetet e saj mbrojtëse që nga pushtimi i zgjeruar i Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.
Zyrtarët amerikanë u thanë homologëve të tyre se nëse Europa nuk e përmbush afatin e vitit 2027, SHBA-të mund të ndalojnë së marri pjesë në disa mekanizma koordinimi mbrojtës të NATO-s, sipas burimeve.
Disa zyrtarë në Capitol Hill janë të vetëdijshëm dhe të shqetësuar për mesazhin e Pentagonit për europianët, tha një zyrtar amerikan.
Top Channel
Burimi: top channel


