Ditë më parë, në Kosovë u prit për herë të parë një ndër zyrtarët më të lartë në fushën e sigurisë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i Mbrojtjes për Politikat Evropiane dhe ato të NATO-s, David Baker, zhvilloi takime me zyrtarë të lartë të institucioneve të vendit.
Gjatë qëndrimit të tij, ai u takua me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin në detyrë Albin Kurti, si dhe ministrin në detyrë të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
Takimet u përqendruan në thellimin e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe në rëndësinë e përkrahjes së sigurisë dhe stabilitetit në rajon.
Kjo vizitë pasqyron angazhimin e dy palëve për të forcuar marrëdhëniet strategjike dhe bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes.
Ambasada Amerikane në Kosovë ka konfirmuar rëndësinë e kësaj vizite përmes një deklarate zyrtare:
“Faleminderit Zëvendës Ndihmës Sekretarit të Mbrojtjes David Baker dhe Gjeneral Brigade Chris McKinney për vizitën në Kosovë, ku u takuan me Presidenten Osmani, Kryeministrin në detyrë Kurti, Ministrin e Mbrojtjes Maqedonci, Komandantin e FSK-së, Gjeneral Leitnant Jashari dhe Komandantin e KFOR-it, Gjeneral Major Enrico Barduani. Ata gjithashtu vizituan Kampin Bondsteel dhe u takuan me pjesëtarë të ushtrisë amerikane. Gjatë gjithë vizitës, DASD Baker theksoi partneritetin në fushën e mbrojtjes SHBA–Kosovë dhe mundësitë për thellim të bashkëpunimit në mbështetje të paqes dhe stabilitetit rajonal.”
Ekspert i sigurisё, Fidair Berisha, në një prononcim për “Bota sot”, ka vlerësuar se vizitat e delegacioneve të larta amerikane në Kosovë tregojnë interesimin dhe shqetësimin e SHBA-ve për situatën në Ballkan.

“Vizitat e personaliteteve të larta amerikane, e në veçanti vizitat e delegacioneve ushtarake amerikane në Kosovë, nuk ndodhin rastësisht. Madje, vizitat e tilla tregojnë se SHBA-të jo vetëm që shprehin interesim për rajonin e Ballkanit, por kanë edhe brengën e tyre, ku Kosova dhe Serbia, tash e 26 vite, nuk po arrijnë të kenë marrëveshje e cila do të kishte peshën dhe rëndësinë e saj në stabilitetin dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor. Në këtë kontekst, takimi ishte një mundësi tjetër për të biseduar mbi situatën e sigurisë në Kosovë, si dhe për të caktuar mënyrën e hapave tjerë për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë ai.
Sipas tij, kjo vizitë nënvizon nevojën për ruajtjen e stabilitetit, për shkak të tensioneve të vazhdueshme mes Kosovës dhe Serbisë.
“David Baker, në Kosovë ka takuar presidenten Osmani, kryeministrin në detyrë Kurti, ministrin e Mbrojtjes në detyrë Maqedonci. Ky takim na jep të kuptojmë se SHBA-të kanë interesimin që duhet të ruhet siguria, sepse deri më tani vazhdimisht kishte tensione në mes dy vendeve Kosovë–Serbi”, ka potencuar ai.
Gjithashtu, Berisha është shprehur se vizita e Baker në Ballkan është pjesë e agjendës së SHBA-së për të ndalur ndikimin rus në rajon.
“Mendoj se vizita e Baker-it në vendet e Ballkanit është pjesë e agjendës së SHBA-së, pikërisht për ndalimin e ndikimit rus në disa vende ku Rusia, tash e sa kohë, tenton të shtrijë ndikimin e saj. Natyrisht se kjo vizitë nga Baker kishte për qëllim promovimin e sigurisë rajonale, si dhe forcimin e bashkëpunimit me shtetet e Ballkanit, duke ua rikujtuar vendeve të Ballkanit, përfshirë edhe Kosovën, për perspektivën e tyre euroatlantike”, ka përfunduar Berisha.
Burimi: botasot.info


