Sekretari i Thesarit amerikan, Scott Bessent, konfirmoi të dielën se Shtetet e Bashkuara dhe Kina kanë arritur një marrëveshje përfundimtare që do të transferojë versionin amerikan të TikTok tek pronarët e rinj me bazë në SHBA.
Në një intervistë për emisionin Face the Nation në CBS, Bessent deklaroi:
“Arritëm një marrëveshje përfundimtare për TikTok. Besoj se që nga sot të gjitha detajet janë zgjidhur dhe do të jetë detyrë e dy udhëheqësve – Presidentit Donald Trump dhe Xi Jinping – ta përfundojnë atë transaksion gjatë takimit të tyre këtë të enjte në Kore.”
Bessent tha se marrëveshja u arrit në Madrid, pas disa raunde negociatash intensive, dhe është pjesë e një kuadri më të gjerë ekonomik që përfshin diskutime mbi tregtinë, tarifat dhe produktet bujqësore midis dy vendeve.
Sipas raportimeve, marrëveshja vlerësohet në rreth 14 miliardë dollarë. Ajo parashikon që investitorët amerikanë dhe ndërkombëtarë të zotërojnë rreth 65% të aksioneve të TikTok-ut amerikan, ndërsa ByteDance dhe partnerët kinezë do të mbajnë më pak se 20%.
Urdhri ekzekutiv i Presidentit Donald Trump, i nënshkruar më 25 shtator, hapi rrugën për këtë ristrukturim, duke kërkuar që algoritmi i platformës dhe mbikëqyrja teknologjike të kalojnë nën kontrollin e bordit të ri të drejtorëve – me gjashtë nga shtatë anëtarët amerikanë.
Një detaj që ka tërhequr vëmendje është propozimi që Barron Trump, djali 19-vjeçar i Presidentit, të jetë pjesë e bordit të kompanisë, një ide e hedhur nga ish-producenti i mediave sociale Jack Advent. Ndër investitorët e rinj përmenden gjithashtu Rupert Murdoch dhe Larry Ellison.
Bessent shtoi se qëllimi i tij ishte të siguronte miratimin e palës kineze:
“Detyra ime ishte të bindja kinezët të pranonin marrëveshjen, dhe besoj se e arritëm me sukses gjatë dy ditëve të fundit.”
Presidenti Trump ndodhet aktualisht në Malajzi, në kuadër të një turi pesëditor në Azi, ndërsa takimi me presidentin kinez Xi Jinping është planifikuar të zhvillohet të enjten në Korenë e Jugut, ku pritet të nënshkruhet zyrtarisht marrëveshja.
Në qendër të bisedimeve të ardhshme do të jenë gjithashtu bilanci tregtar, blerjet kineze të produkteve bujqësore amerikane dhe kriza e fentanilit, e cila ka ndikuar në vendosjen e tarifave 20% të administratës Trump mbi importet kineze.
Burimi: botasot.info


