Këngëtari i njohur kanadez, Shawn Mendes, ka ndarë emocionet e tij pas performancës së suksesshme në natën e dytë të Festivalit Sunny Hill, i cili po mbahet në Prishtinë. I njohur për zërin e tij unik dhe hitet që kanë pushtuar toplistat ndërkombëtare, Mendes është pritur me entuziazëm nga mijëra fansa të mbledhur në një nga ngjarjet më të mëdha muzikore në rajon.
Përmes një postimi në rrjete sociale, ai ka falënderuar organizatoren e festivalit, këngëtaren me famë botërore Dua Lipa, për ftesën dhe mikpritjen.
Ai e ka përshkruar eksperiencën në Sunny Hill si të paharrueshme dhe është shprehur i impresionuar nga energjia dhe dashuria e publikut.
Në fotografinë e publikuar, dikush nga audienca shihet duke bërë simbolin e shqiponjës me duar – një gjest që shpesh përdoret për të treguar krenarinë shqiptare. Kjo ka marrë shumë pëlqime dhe komente pozitive, duke reflektuar atmosferën elektrizuese të mbrëmjes dhe ndërlidhjen kulturore mes artistëve dhe publikut.

Festivali Sunny Hill vazhdon të jetë një platformë që bashkon emrat më të mëdhenj të muzikës botërore me artistë shqiptarë dhe rajonalë, duke promovuar kulturën, artin dhe muzikën në një skenë ndërkombëtare. Performanca e Shawn Mendes ka qenë padyshim një nga momentet kulmore të edicionit të sivjetmë.
Burimi: botasot.info


