Ekipi amerikan i hokejit për vajza, fitues i medaljes së artë në Lojërat Olimpike Dimërore ‘Milano Cortina 2026’, ka refuzuar një ftesë për fjalimin e presidentit të SHBA-së Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë për Gjendjen e Kombit, duke përmendur probleme me agjendën.
Ftesa erdhi pasi Trump uroi ekipit amerikan të meshkujve në telefon të dielën, ndërsa lojtarët festonin fitoren e tyre historike olimpike, madje ofroi të dërgonte një aeroplan ushtarak për t’i çuar ata në Uashington, DC.
“Do të mbajmë fjalimin për Gjendjen e Kombit të martën në mbrëmje. Mund të dërgoj një aeroplan ushtarak ose diçka të tillë, nëse dëshironi. Është nata më e këndshme. Është fjalimi më i madh”, tha presidenti nëpërmjet një altoparlanti që e mbante drejtori i FBI-së, Kash Patel, në dhomën e zhveshjes, nën brohoritjet dhe britmat e zhurmshme “jemi dakord”.
Trump shtoi: “Duhet t’ju them se do të na duhet të sjellim edhe ekipin e vajzave, ju e dini këtë.” Nëse ato nuk do të ftoheshin, presidenti tha, “Unë besoj se ndoshta do të më shkarkonin, në rregull?”
Anëtarët e ekipit qeshën. Momenti dhe reagimi i lojtarëve shkaktoi reagime të forta në mediat sociale.
Sipas një zëdhënësi të ekipit të vajzave, ekipet e hokejit, si për meshkuj ashtu edhe për femra, u ftuan zyrtarisht të merrnin pjesë në fjalimin e Trump të martën. Nuk është e qartë nëse atletët meshkuj do t’i zbatojnë planet, por ekipi i vajzave e ka refuzuar ftesën.
“Jemi sinqerisht mirënjohës për ftesën që i bënë ekipit tonë të hokejit për vajza të SHBA-së, i cili fitoi medaljen e artë dhe e vlerësojmë thellësisht njohjen e arritjes së tyre të jashtëzakonshme”, tha zëdhënësi i ekipit në një deklaratë.
“Për shkak të kohës dhe angazhimeve akademike dhe profesionale të planifikuara më parë pas Lojërave, atletet nuk mund të marrin pjesë. Ata ishin të nderuara që u përfshinë dhe janë mirënjohëse për vlerësimin”, vijoi ai.
Ekipi i meshkujve, i cili po udhëtonte për t’u kthyer në SHBA nga Italia, nuk iu përgjigj menjëherë pyetjes së CNN nëse do të merrnin pjesë në fjalim. As Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj kërkesës së CNN për koment.
Të dyja ekipet amerikane siguruan medaljen e artë olimpike në dy ndeshje të jashtëzakonshme kundër Kanadasë, vajzat fituan 2-1 në kohën shtesë të enjten dhe meshkujt fituan po 2-1 në kohën shtesë të dielën.
Asnjëra nga skuadrat olimpike nuk ka shumë kohë për të shijuar fitoret e saj, ndërsa atletët do kthehen në ekipet e tyre profesionale të hokejit në nivel kolegji. Liga Profesionale e Hokejit për Vajza rifillon sezonin e saj të enjten dhe Liga Kombëtare e Hokejit për meshkuj rifillon të mërkurën.
Ekipi i vajzave fitoi medaljen e artë së fundmi në ‘PyeongChang 2018’ gjatë mandatit të parë të Trump. Ato ishin ndër atletet e ftuara në Shtëpinë e Bardhë në prill 2018 si pjesë e një festimi më të gjerë olimpik. Fitorja e meshkujve e këtij viti ishte e para që nga “Mrekullia mbi Akull” e vitit 1980.
Burimi: opinion.al


