Deklaratat e fundit të ish-kryenegociatores në bisedimet Kosovë-Serbi, Edita Tahiri, lidhur me orientimin politik dhe zhvillimet aktuale në Kosovë, kanë nxitur reagime dhe diskutime në opinionin publik, veçanërisht sa i përket rikthimit të qasjeve të vjetra politike.
“Gjysma e sanksioneve u hoqën nga BE-ja – Kosova vazhdon e ndëshkuar, e dëmtuar për shkak te dështimeve të qeverisë së kaluar – vetëm ndryshimi që mund të vjen nga zgjedhjet e shpëton Kosovën nga kjo situate fatkeqe”, ka shkruar Tahiri në një postim në profilin e saj në Facebook.
Në këtë kontekst, Hafiz Shala, anëtar i Bordit Ekzekutiv të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane (LQSHA) ka deklaruar për gazetën “Bota sot” se këto qëndrime përfaqësojnë një mentalitet politik që, sipas tij, synon kthimin prapa në kohë, në vend se avancimin e shtetit të Kosovës.

Sipas Shalës, insistimi për t’u rikthyer në periudha të mëhershme politike dhe për t’i paraqitur ato si zgjidhje për të ardhmen, bie ndesh me realitetin aktual dhe me interesat strategjike të Kosovës.
“Çfarë filozofie politike është ajo kur, për të ecur përpara, njëherë duhet të kthehesh prapa?
Kjo (Edita Tahiri), pa Borkon dhe kthimin në atë kohë, bashkë me opozitën, nuk mund ta paramendojnë “ardhmërinë”. Krerët e LDK-së po duan që nisma e tyre të fillojë me vitet 2013/15 dhe nga aty të “ecet me këmbët e breshkës” për të ndodhur mrekullia.
A ka ndodhur ndokund në botë që, për të ecur përpara, duhet njëherë të kthehesh prapa “për të marrë hov” dhe për të bërë mrekullira? Kjo na qenka filozofia politike e LDK-së “Rruga e re”. Eureka e kësaj partie, e cila, kur krejt shoqëria dhe ndërkombëtarët Listën serbo-shqipfolëse e shohin si dorë të zgjatur të Serbisë, këta, bash hiç problem nuk e kanë sepse janë në koalicion, ama problemin kryesor e kanë me Albin Kurtin”, ka thënë Shala për “Bota sot”.
Madje, Shala ka treguar edhe arsyet përse LDK e ka problem Albin Kurtin, duke thënë se I njëjti e ka vërtetuar se nuk e pranon ardhjen në pushtet në kurriz të popullit.
“Sepse Albin Kurti nuk lëshon pe. Nuk iu përkulet as ndërkombëtarëve kur rrezikohen interesat e shtetit dhe qytetarit. Ky ua vërtetoi se ardhjen në pushtet mbi kurrizin e popullit kurrë nuk e pranon. Njeriun e drejtë, të pakorruptuar e të pashantazhuar, nuk mund ta thyesh. Ky nuk është nga ata të cilët për mbi 20 vite, me atë qyqarllëkun “lepe-peqe” e me Amerikën në gojë, vodhën, falën tokë dardane, shkatërruan sipërmarrjet më rentabile, shitën edhe shinat e trenit dhe, përsëri, mundohen t’i mashtrojnë miqtë tanë ndërkombëtarë që të bashkëpunojnë me armiqtë tanë po ashtu ndërkombëtarë dhe me mercenarët e Vuçiçit, sikur kryeministri serb në Tiranë, Edvin Kristaq Rama, i cili thuri programe antidardane me Vuçiçin dhe Thaçin, me përkrahjen e despotit të Rusisë, Putinit, të cilit, për t’u dukur i afërt dhe besnik ndaj tij, edhe u takuan me të “nën arsyen se nuk është armik i yni”, shprehet Shala.
Sipas tij, heqja e masave nga BE-ja, njohja nga Bahamas dhe konfirmimi i mbështetjes nga SHBA është rezultat i politikave të drejta dhe shpresëdhënëse nën udhëheqjen e dy Kurtit dhe Osmanit.
“Kur Presidentja Vjosa Osmani e dha lajmin nga selia e BE-së se më në fund iu hoqën masat ndaj Republikës së Dardanisë dhe sihariqi më i ri, njohja nga Bahamas, që sipas kësaj dinamike, posaçërisht pas vendimit të SHBA-ve – Presidentit Trump, mund të ndodhin edhe disa njohje nga shtetet mosnjohëse të Evropës. Ky është rezultat i politikave të drejta dhe shpresëdhënëse nën udhëheqjen e dy liderëve shtetërorë, që Dardania në këto kushte e rrethana kurrë e askush nuk i ka arritur.
Vëllai i Vuçiçit, duke mos e pranuar këtë rezultat historik Osmani–Kurti, u fut në studio si njeri i çmendur gjoja për ta uruar Presidenten, me qëllim të përçarjes mes këtyre dy ikonave shtetërore dhe për ta fshehur tradhtinë e tij pas shpinës së tyre, si gjoja “është kënaqësia e tij”.
Kryeministri Kurti iu betua nënëlokës se kurrë nuk do të lëshojë pe, zotim të cilin e ka përqafuar edhe Mbretëresha e Dardanisë, Vjosa Osmani. Prandaj Evropa u dorëzua para realitetit të padrejtësisë, Vuçiçi u dorëzua pasi mori grushtin politik më të rëndë që nga ekzistimi i Serbisë. E Kristaqit i “cofën morrat”, sepse fiskulturat e tij politike, duke provokuar grushtin amerikan ndaj Serbisë, ishte grusht edhe ndaj tij, që i bie se të dy po largohen nga orbita e Donald J. Trump”, ka potencuar ai.
Kështu, Shala është shprehur se “opozita e mjerë mbeti e hutuar, me gishta në gojë, për gjynah dhe turp”.
“Por harrova se kërkesat e Hamzës dhe Abdixhikut për heqjen e masave “e patën efektin e vet”, nëse kanë mbërritur, ani pse shumë vonë, sepse vendimi veçse ishte marrë. Por si do t’i arsyetojë PDK-ja misionarët e saj që lobonin për mosheqjen e masave? Sa po duket, as kjo nuk i ndihmoi. O Zot i madh, me siguri je duke parë se çka ka ndodhur e çka po përgatitet të ndodhë për interesa të tyre personale për të ardhur në pushtet, pa marrë parasysh koston për shtetin dhe qytetarin”, ka nënvizuar ai.
Andaj, Shala bëri thirrje që qytetarët të “mos lëshohet pe” për ta bërë Kurtin kryeministër dhe Osmanin sërisht presidente.
“Iu drejtohem votuesve: mos lëshoni pe, votojeni Vetëvendosjen dhe Albin Kurtin kryeministër, për ta pritur ditën e zgjedhjes së Presidentes Vjosa Osmani, duke i dhënë Republikës së Dardanisë dy udhëheqës që i duhen.
Kur kësaj ia shtojmë edhe një vendim të tillë historik të Presidentit Donald J. Trump, duke shpenzuar gati 1 trilion dollarë për sigurinë kombëtare amerikane, duke e përfshirë edhe Republikën e Dardanisë (Kosovën), është për ne aq i vlefshëm për herë të parë në historinë e 250-vjetorit të ekzistimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Faleminderit Amerikë, faleminderit President Donald Trump. Zoti e bekoftë Amerikën, Zoti e bekoftë Dardaninë dhe miqësinë e tyre të përjetshme. Publicist dhe anëtar i Bordit Ekzekutiv i LQSHA”, ka përfunduar Shala.
Burimi: botasot.info


