Pavarësia e institucioneve, transparenca dhe llogaridhënia ishin në fokus të takimit ndërmjet Avokatit të Popullit, Mr. Faton Selami, dhe kryetarit të Transparency International Macedonia, Bllagoja Pandovski.
Sipas njoftimit të Avokatit të Popullit, bashkëbiseduesit vlerësuan se transparenca dhe llogaridhënia janë ndër parimet kryesore të funksionimit të institucioneve, pasi ndikojnë drejtpërdrejt në integritetin institucional dhe në besimin e qytetarëve.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua pavarësisë së institucioneve që veprojnë në fushën e mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të njeriut, me theks të veçantë te pavarësia financiare.
“Pavarësia financiare është e një rëndësie të veçantë për ushtrimin e pavarur dhe efikas të mandatit dhe kompetencave të institucioneve”, u theksua gjatë takimit.
Në këtë drejtim, Selami dhe Pandovski vlerësuan se forcimi i kapaciteteve dhe pavarësisë së Institucionit të Avokatit të Popullit është i rëndësishëm për garantimin e një niveli më të lartë të mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve.
Në takim u diskutua gjithashtu për promovimin e të drejtave të njeriut, veçanërisht për rritjen e ndërgjegjësimit të qytetarëve lidhur me të drejtat e tyre dhe mekanizmat që kanë në dispozicion për mbrojtjen dhe realizimin e tyre.
Selami dhe Pandovski diskutuan edhe për forcimin e bashkëpunimit institucional ndërmjet Avokatit të Popullit dhe Transparency International Macedonia. Një nga mundësitë e shqyrtuara është edhe nënshkrimi i një Memorandumi Bashkëpunimi ndërmjet dy institucioneve.
Burimi: alfax.mk


