Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë këtë të enjte në seancën e parashikuar për t’u zhvilluar në Gjykatën Kushtetuese, për ankimimin që i ka bërë Kryeministri Rama vendimit të saj për pezullimin e Belinda Ballukut nga detyra e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë.
“Ju informojmë se GJKKO nuk do të marrë pjesë në këtë seancë plenare pasi vlerëson se nuk mund të legjitimohet si palë në gjykimin kushtetues me kërkues Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë.
Në një shtet demokratik të së drejtës, të bazuar në parimin e sundimit të ligjit dhe të ndarjes së pushteteve, një gjykatë nuk mund të thirret dhe as të legjitimohet si palë në një gjykim kushtetues për të bërë parashtrime apo për të mbrojtur një vendim të dhënë prej saj. Pjesëmarrja e GJKKO-së si palë e interesuar në Gjykatën Kushtetuese do të cenonte parimin e ndarjes së pushteteve dhe pavarësinë e brendshme të pushtetit gjyqësor”.
GJKKO i ka kthyer përgjigje Gjykatës Kushtetuese, duke parashtruar arsyet ligjore për të cilat kjo gjykatë nuk mund të legjitimohet si palë në gjykimin kushtetues me kërkues Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë.
Në parashtrimin me shkrim që ka dërguar në Kushtetuese, GJKKO thotë se “kompetenca e gjyqtarit është kufiri i fundit që përcakton fushën e juridiksionit, brenda të cilit ai është i detyruar që të procedojë për zgjidhjen e një çështjeje të caktuar. Problemet e zbatimit dhe të interpretimit të ligjit, duke përfshirë edhe dispozitat për kompetencën, u takojnë në parim gjykatave të pushtetit gjyqësor”.
Sipas saj “fillimisht çdo çështje e ushtrimit të juridiksionit gjyqësor mbi një çështje konkrete zgjidhet brenda pushtetit gjyqësor dhe pasi të shterohen mjetet e brendshme juridike zgjidhet nga Gjykata Kushtetuese”.
Gjithashtu GJKKO thotë se “për sa kohë një çështje konkrete penale është e varur përpara juridiksionit gjyqësor të zakonshëm nuk mund të ndërhyhet nga autoritet të tjera shtetërore pa cenuar nenin 145 të Kushtetutës”.
Burimi: opinion.al


