Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji këtë të shtunë ndodhet në qytetin e Shkodrës ku po zhvillon takime me demokratët. Salianji gjatë fjalës së tij u shpreh se Partia Demokratike duhet të ndryshojë në mënyrë që të ketë mundësi për të rrëzuar kryeministrin Edi Rama.
Ai gjithashtu tha se ai përfaqëson një zë ndryshe. Salianji theksoi se nuk i nënshtrohet presionit, duke marrë shembull burgosjen e tij sipas të cilit e vendosi qeveria. Sipas tij forca politike dhe morale nuk vjen nga rroga apo privilegjet, por nga përballja, qëndresa, sakrifica dhe dëgjimi i zërit të demokratëve.
“Rrogëtarët e PD s’duan t’i shohin sallat plot, që mbushen jo vetëm prej meje, por prej pakënaqësisë që meritën që i takon dhe rregullat e lojës merren dhe hidhen në kosh të plehrave. Mendojnë se na bëjnë presion duke u thënë një mijë çudira, presionin nuk e njoh, as njerëz më të rëndësishëm se këta, s’më ka bërë presion as Rama duke u përballur në burg ku vendosi regjimi dhe shumë njerëz që përballë regjimit sillen si lepurusha dhe përballë demokratëve si tigra”, tha Salianji.
Sipas tij është detyrë e të gjithëve për të larguar qeverinë. Ai hodhi akuza ndaj kryeministrit Rama se mban shtetin të lidhur me grupet kriminale.
“Detyrimi për të bërë qeverinë të largohet nuk është i opozitës, por i të gjithëve. Rama mban fijet e shtetit të lidhura me grupet kriminale dhe është përgjegjës për zyrat që ka zgjeruar dhe për koordinatorët që ka zgjedhur.
Administrata e Trump ka kaluar një akt në Kongres, i cili së shpejti do të ndikojë në funksionimin më demokratik të zyrave të larta të çdo vendi. Gjithçka dhe të gjitha institucionet duket se nënshtrohen vullnetit të një individi”, tha ai ndër të tjera.
Burimi: botasot.info


