“Sabotimi i konstituimit të Kuvendit të Kosovës është veprim i papërgjegjshëm dhe një goditje e rëndë për imazhin dhe funksionimin demokratik të shtetit,” ka deklaruar për gazetën ‘Bota sot’ analisti dhe publicisti Nexhat Bexheti.
Sipas tij, kjo situatë e paprecedent nuk është vetëm çështje e brendshme, por përçon mesazhe negative edhe në rrafshin ndërkombëtar.
“Republika e Kosovës është ndërtuar me ndihmën e fuqishme të bashkësisë ndërkombëtare, dhe sot, kur partitë opozitare pamundësojnë krijimin e institucioneve, kjo përjetohet si përçmim ndaj rendit demokratik dhe ndaj miqve tanë ndërkombëtarë,” thekson Bexheti.

Ai kritikon ashpër refuzimin për të zgjedhur Albulena Haxhiun në krye të Kuvendit, duke thënë se është një veprim që bie ndesh me vullnetin qytetar.
“Mosvotimi i Haxhiut, e cila doli ndër më të votuarat në zgjedhje, është në thelb një refuzim i zërit të qytetarit. Kjo sjellje tregon një mentalitet politik që nuk njeh as standardet demokratike, as ndjenjën e përgjegjësisë shtetërore,” është shprehur ai.
Bexheti shprehet i shqetësuar që vendi po shkon drejt zgjedhjeve lokale, ndërkohë që ende nuk ka një Kuvend funksional.
“Në vend se të përmbyllin konstituimin e Kuvendit dhe të formojnë qeverinë, partitë janë zhytur në përgatitje për zgjedhjet lokale. Kjo është një papërgjegjësi e skajshme – shteti është lënë pezull, ndërsa lufta për pushtet lokal ka marrë prioritet,” thotë ai.
Sipas analistit, vendi ka nevojë për një shumicë të qartë dhe të fuqishme politike, për të rikthyer besimin e humbur ndërkombëtar.
“Kredibiliteti i Kosovës ka pësuar goditje serioze. Qeverisja e ardhshme duhet të ketë mbështetje të gjerë qytetare, mbi 60% në mënyrë që të veprojë me autoritet të plotë brenda dhe jashtë vendit,” ka deklaruar Bexheti.
Ai nuk përjashton as idenë e mbajtjes së zgjedhjeve të reja parlamentare së bashku me ato lokale.
“Nëse nuk arrihet konsensus politik për të konstituuar Kuvendin, atëherë zgjedhjet e parakohshme parlamentare së bashku me ato lokale mund të jenë zgjidhje funksionale. Por kjo do të dëmtonte partitë e vogla, të cilat në një situatë të tillë rrezikojnë të zhduken nga skena parlamentare,” përfundon analisti Nexhat Bexheti.
Burimi: botasot.info


