1
Shkup, 28 nëntor – Qeveria planifikon ta forcojë mbrojtjen ndaj kërcënimeve hibride përmes trajnimit të administratës, programeve të specializuara për policinë dhe ushtrinë, si dhe përmes programeve për edukim mediatik.
Kryeministri Hristijan Mickoski vlerëson se ka kaluar koha kur institucionet vareshin nga individë të caktuar.
“Interesi ynë kombëtar është i qartë – duhet të ndërtojmë një sistem që do t’i identifikojë, analizojë dhe t’u përgjigjet kërcënimeve hibride dhe atyre informacionale në mënyrë të koordinuar, të shpejtë dhe profesionale”, theksoi Mickoski.
Në konferencën “Kërcënimet hibride dhe informacionale”, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Matthew Lawson, deklaroi se vendi i tij do ta mbështesë Maqedoninë në luftën kundër, siç tha, manipulatorëve të huaj që i minojnë vlerat demokratike.
“Kemi një numër të madh dezinformatash, dhe qytetarët gjithnjë e më shpesh nuk arrijnë t’i dallojnë. Prandaj vendosëm të krijojmë partneritet me qeverinë dhe sektorin civil. Kjo është e rëndësishme jo vetëm për ne, por për të gjithë Evropën dhe veçanërisht për aleatët e NATO-s, ku lufta kundër manipulimeve është pjesë thelbësore”, tha Lawson.
Nga Instituti për Studime të Komunikimit thonë se Maqedonia është shumë e cenueshme ndaj kërcënimeve hibride, duke pasur parasysh pozitën e saj ku kryqëzohen një numër i madh interesash strategjike.
Në konferencë u njoftua edhe një platformë qeveritare për bashkëpunim të rregullt me qendrat kërkimore, universitetet, shoqatat e mediave, organizatat qytetare dhe sektorin privat.
Burimi: zhurnal.mk


