Përplasja publike mes Ryanair dhe Elon Musk ka hyrë në një fazë të re, me tone të forta dhe sarkazëm të hapur në rrjetet sociale.
CEO i linjës ajrore irlandeze, Michael O’Leary, i është përgjigjur drejtpërdrejt miliarderit amerikan duke “pranuar sfidën” e tij dhe duke i ofruar një biletë vajtje pa kthim me çmim 16.99 euro, të cilën kompania e cilëson si ofertë për “idiotët”.
Në një postim ironik në platformën X, Ryanair njoftoi lançimin e fushatës “Great Idiots Seat Sale”, një promocion që, sipas kompanisë, i dedikohet “veçanërisht Elon Musk”. Oferta përfshin 100 mijë vende për fluturime njëdrejtimëshe me çmim 16.99 euro dhe, sipas njoftimit, u drejtohet me sarkazëm “të gjithë idiotëve të X”.

Ryanair thekson gjithashtu se Michael O’Leary do të flasë në një konferencë për shtyp në Dublin, ku pritet të komentojë sulmet e Elon Musk ndaj kompanisë. “Musk di edhe më pak për rregullat e pronësisë së linjave ajrore sesa di për aerodinamikën e avionëve”, citohet të ketë thënë O’Leary.
Përplasja mes dy figurave të njohura nisi pasi O’Leary refuzoi instalimin e internetit satelitor Starlink në avionët e Ryanair, duke e cilësuar shërbimin si shumë të shtrenjtë. Reagimi i Musk nuk vonoi, me një seri postimesh ironike në X, përfshirë edhe një sondazh ku pyeste nëse duhet ta blinte Ryanair dhe të vendoste “një Ryan” në krye të kompanisë.
Tensioni u përshkallëzua më tej kur O’Leary e quajti Musk “idiot” në një podkast, ndërsa ky i fundit iu përgjigj duke e quajtur kreun e Ryanair një “idiot të plotë” dhe duke lënë të hapur mundësinë e marrjes së kontrollit të kompanisë.
Megjithatë, Ryanair është një kompani e listuar në bursë, me shumicën e aksioneve në duart e investitorëve institucionalë, ndërsa një blerje e mundshme nga Musk do të përballej me kosto të larta dhe pengesa serioze rregullatore.
Top Channel
Burimi: top channel


