Kremlini ka mohuar çdo lidhje të mundshme mes financierit të ndjerë Jeffrey Epstein dhe shërbimeve ruse të inteligjencës, duke i cilësuar akuzat si të pavërteta dhe pa rëndësi.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha të enjten se Moska nuk ka ndërmend të humbasë kohë duke iu përgjigjur deklaratave që, sipas tij, nuk qëndrojnë. “Do të doja të tallesha me këto deklarata, por nuk ia vlen të harxhojmë kohë,” u shpreh Peskov, i pyetur nga agjencia Reuters.
Reagimi i Kremlinit vjen pas deklaratave të kryeministrit polak Donald Tusk, i cili njoftoi se Polonia do të nisë një hetim për lidhje të mundshme mes Epstein dhe shërbimeve ruse të inteligjencës, si dhe për çdo ndikim që këto lidhje mund të kenë pasur ndaj Varshavës. Tusk nuk paraqiti prova konkrete për këto dyshime.
Ditët e fundit, disa media perëndimore kanë ngritur pikëpyetje nëse Epstein mund të ketë vepruar si agjent, duke mbledhur materiale komprometuese për persona të pasur dhe me pushtet. Autoritetet ruse i kanë hedhur poshtë këto raportime, duke i cilësuar si përpjekje për të zhvendosur vëmendjen nga vetë skandali dhe nga figurat e përfshira në SHBA dhe Europë.
Në dokumentet e publikuara nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA, Rusia përmendet disa herë. Dosjet tregojnë gjithashtu se disa nga gratë e reja me të cilat Epstein kishte kontakte ishin nga Rusia, përfshirë edhe një 26-vjeçare që ai kishte tentuar t’ia prezantonte princit Andrew Windsor, vëllait të Mbretit Charles të Britanisë së Madhe.
Burimi: opinion.al


