Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara e përcakton presidenti dhe jo Kongresi. Deklarata erdhi pas zgjedhjeve të 3 nëntorit, të cilat ndryshuan shumicën në Kongres.
Rubio foli për gazetarët të hënën, 9 nëntor, në Paris, sipas transkriptit të publikuar nga Departamenti i Shtetit. I pyetur nëse zgjedhjet e mesmandatit mund ta ndryshojnë politikën e jashtme të administratës, ai tha se nuk e sheh lidhjen.
Rubio pranoi se Kongresi ka rol në politikën e jashtme, sidomos përmes vendimeve për financimin dhe përmes funksionit mbikëqyrës. Megjithatë, ai theksoi se presidenti ka qenë gjithmonë “faktori numër një” në përcaktimin e politikës së jashtme amerikane. Rubio kujtoi se edhe vetë, si senator gjatë administratave demokrate, është përpjekur të ndikojë në politikën e jashtme.
Deklarata ka rëndësi edhe për Kosovën dhe për lobin shqiptar në Uashington. Pas zgjedhjeve të 3 nëntorit, analistët kanë diskutuar nëse shumica e re në Kongres do të ndikojë në qëndrimin amerikan ndaj dialogut Kosovë–Serbi dhe ndaj rajonit. Në fjalën e tij në Paris, Rubio nuk e përmendi Ballkanin Perëndimor.
Burimi: Departamenti i Shtetit i SHBA-së, transkripti i 9 nëntorit
Burimi: botasot.info


