rubio ne azi mes luftes me iranin dhe shqetesimeve per energjine 6a5f95d20f645

Rubio në Azi mes luftës me Iranin dhe shqetësimeve për energjinë

July 21, 2026
min lexim

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, mbërriti më 21 korrik në Manila, për vizitën e tij të parë në Filipine si kryediplomat i SHBA-së.

Ai do të marrë pjesë në takimin ministror të Asociacionit të Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN).

Takimi zhvillohet në kohën kur vëmendja ndërkombëtare është përqendruar te konflikti i ri me Iranin dhe tensionet në rritje në Detin e Kinës Jugore.

Vizita e Rubios ndodh, po ashtu, në kohën kur Uashingtoni synon të forcojë strategjinë e tij në rajonin e Indo-Paqësorit dhe t’u japë siguri aleatëve të tij përballë krizave, që shtrihen nga Lindja e Mesme deri te lufta e Rusisë në Ukrainë.

Rubio tha se është i hapur për t’u takuar në margjinat e takimeve të ASEAN-it me ministrin e Jashtëm të Kinës, Wang Yi, dhe ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov, edhe pse para mbërritjes së tij nuk ishte konfirmuar ndonjë takim zyrtar.

“Nuk do t’ju tregoja në një konferencë për shtyp se çfarë do të diskutonim në takime të tilla. Këto janë çështje delikate”, tha Rubio para nisjes për në Manila.

Menjëherë pas mbërritjes së tij, Departamenti amerikan i Shtetit publikoi një deklaratë të ashpër lidhur me situatën në Detin e Kinës Jugore, duke i bërë thirrje Pekinit që “t’i ndalojë menjëherë veprimet destabilizuese”.

Në deklaratë dënohen “veprimet e rrezikshme dhe agresive” të Kinës ndaj personelit të Marinës së Filipineve në zonën e “Second Thomas Shoal” – një shkëmb nënujor i kontestuar, ku, më 20 korrik, një përballje mes rojës bregdetare kineze dhe marinarëve filipinas la të plagosur një ushtar filipinas.

Siguria energjetike

Edhe pse fokusi kryesor i Uashingtonit pritet të jetë Kina dhe konflikti i përshkallëzuar me Iranin, takimet zhvillohen edhe në sfondin e krizave të tjera globale, përfshirë luftën e Rusisë kundër Ukrainës.

Analistët e intervistuar nga Radio Evropa e Lirë vlerësojnë se qeveritë e Azisë Juglindore po i shohin gjithnjë e më shumë këto sfida gjeopolitike përmes prizmit të sigurisë energjetike, e jo vetëm të konkurrencës ushtarake.

“Rajoni nuk po zgjedh anë, por po diversifikon ekspozimin e tij”, tha për Radion Evropa e Lirë Peter Cockcroft, drejtor i Institutit të Azi-Paqësorit për Neutralitetin Klimatik dhe ish-këshilltar strategjik i presidentëve të Filipineve.

“Një krizë në një pikë të rëndësishme të transportit detar, mijëra kilometra larg, ka bërë më shumë që ASEAN-i të përqendrohet te siguria energjetike sesa te retorika për rivalitetin SHBA-Kinë”, shtoi ai.

Sipas Cockcroftit, ndonëse Tajvani, Deti i Kinës Jugore dhe aleancat ushtarake mbeten tema të rëndësishme, qeveritë e rajonit janë gjithnjë e më të shqetësuara për çmimet e karburanteve, koston e energjisë elektrike, rrugët detare të transportit, inflacionin, presionin mbi monedhat kombëtare dhe stabilitetin politik të brendshëm.

“Siguria energjetike po bëhet një element vendimtar i sigurisë strategjike në Azinë Juglindore”, tha ai.

Ky ndryshim, sipas analistëve, mund ta vështirësojë mesazhin e Rubios në Manila.

Ndërsa SHBA-ja pritet t’u ofrojë aleatëve garanci në fushën e sigurisë, shumë vende të ASEAN-it janë duke i vlerësuar partnerët strategjikë edhe sipas aftësisë së tyre për të siguruar energji me çmime të përballueshme, zinxhirë furnizimi të qëndrueshëm dhe stabilitet ekonomik.

Konflikti me Iranin ndryshon llogaritjet strategjike

Sipas analistëve, konflikti me Iranin është bërë një faktor përcaktues në mënyrën se si vendet e Azisë Juglindore e shohin sigurinë e tyre, pasi ka nxjerrë në pah varësinë e rajonit nga energjia e Lindjes së Mesme dhe cenueshmërinë e rrugëve detare përmes Ngushticës së Hormuzit.

“Kriza në Hormuz nuk e krijoi cenueshmërinë energjetike të ASEAN-it, por vetëm e zbuloi atë”, tha Cockcroft.

Sipas tij, kriza po i shtyn vendet e rajonit t’i diversifikojnë burimet e energjisë.

Ato përfshijnë blerjen e energjisë ruse dhe iraniane me çmime të ulëta, zgjerimin e bashkëpunimit energjetik me Kinën dhe përshpejtimin e zhvillimit të burimeve vendore.

“ASEAN-i mund ta diskutojë krizën si grup, por secili shtet do t’i menaxhojë pasojat në mënyrë individuale”, tha ai.

Para nisjes për në Manila, Rubio deklaroi se SHBA-ja mbetet e hapur për diplomaci me Teheranin, pavarësisht operacioneve ushtarake që po zhvillohen.

“Sjellja e tyre duhet të ndryshojë që të ndryshojë edhe e jona”, tha ai, duke theksuar se Uashingtoni mbetet i gatshëm për negociata.

Rubio shtoi, gjithashtu, se mbrojtja e transportit detar ndërkombëtar nuk duhet të jetë përgjegjësi vetëm e SHBA-së.

“Nuk është detyra e Shteteve të Bashkuara që përgjithmonë të mbrojnë transportin detar të të gjithë planetit”, tha ai, duke u bërë thirrje vendeve të tjera që të kontribuojnë më shumë për sigurinë detare.

Balancimi mes Uashingtonit dhe Pekinit

Për disa analistë, konflikti me Iranin po përshpejton një prirje që kishte nisur prej kohësh në politikën e jashtme të vendeve të Azisë Juglindore.

Chester Cabalza, themelues dhe president i Institutit Bashkëpunimi Ndërkombëtar për Zhvillim dhe Siguri në Manila, tha se kriza me Iranin “ka përshpejtuar strategjinë e balancimit” të vendeve të ASEAN-it mes SHBA-së dhe Kinës.

“Rajoni i mbijetoi luftës tregtare SHBA-Kinë, vetëm për t’u përballur tani me një luftë globale për burimet”, tha ai.

Sipas Cabalzas, investimet afatgjata të Kinës përmes nismës “Brezi dhe Rruga” kanë forcuar pozitën ekonomike të Pekinit, ndërsa SHBA-ja ka mbetur prapa.

“Hyrja e vonuar ekonomike e Uashingtonit i dha Pekinit mundësinë ideale për të integruar tregjet rajonale, duke e detyruar SHBA-në që të përpiqet ta rikuperojë terrenin e humbur”, tha ai.

Ai shtoi se siguria energjetike “mund t’i tejkalojë prioritetet gjeopolitike të Perëndimit” në rajon.

“Shtetet e Azisë Juglindore mund të detyrohen të afrohen me furnizues joperëndimorë të energjisë, përfshirë energjinë më të lirë nga Rusia dhe Irani, si domosdoshmëri politike”, tha Cabalza.

Edhe Cockcroft tha se pret që vendet e ASEAN-it të mos mbështesin zgjerimin e sanksioneve ndaj energjisë ruse ose iraniane, por të ndjekin politika pragmatike për mbrojtjen e ekonomive të tyre, përfshirë mekanizma alternativë pagesash dhe burime të larmishme energjie.

Mundësi për takim me Lavrovin

Lufta e Rusisë në Ukrainë pritet gjithashtu të jetë pjesë e diskutimeve në takimet e ASEAN-it, pasi Rubio tha se është i gatshëm të takohet me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, nëse agjendat e tyre përputhen.

Kremlini e mirëpriti publikisht mundësinë e një kontakti mes dy diplomatëve gjatë takimit në Manila.

Teksa ministrat e Jashtëm të ASEAN-it mblidhen në kryeqytetin filipinas, analistët vlerësojnë se suksesi i vizitës së Rubios nuk do të varet vetëm nga garancitë amerikane për sigurinë, por edhe nga aftësia e Uashingtonit për të ofruar përgjigje bindëse për shqetësimet e rajonit lidhur me çmimet e energjisë, inflacionin, qëndrueshmërinë e zinxhirëve të furnizimit dhe stabilitetin ekonomik.

Burimi: botasot.info

VERO

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

zjarri mberrin prane banesave ne elbasan zjarrfikesit drejt neutralizimit te flakeve 6a5f9570604d8
Lajmi i mëparshëm

Zjarri mbërrin pranë banesave në Elbasan, zjarrfikësit drejt neutralizimit të flakëve

besoni besartit gjesti ben paralajmerimin e shumepritur 6a5f969bebd1e
Lajmi i radhës

‘Besoni Besartit’, Gjesti bën paralajmërimin e shumëpritur

Të fundit nga

ShkoLartë