rubio levizjet e izraelit per aneksimin e bregut perendimor e rrezikojne marreveshjen per gazen 68fa14fcac439

Rubio: Lëvizjet e Izraelit për aneksimin e Bregut Perëndimor e rrezikojnë marrëveshjen për Gazën

October 23, 2025
min lexim

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e ka paralajmëruar Izraelin kundër aneksimit të Bregut të uzurpuar Perëndimor, duke thënë se hapat e ndërmarrë nga Parlamenti izraelit dhe dhuna e kolonëve po e rrezikojnë marrëveshjen e paqes për Rripin e Gazës.

Ligjvënësit izraelitë votuan të mërkurën për t’i çuar përpara dy projektligje që synojnë aneksimin e Bregut Perëndimor, vetëm një javë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, e ndërmjetësoi një marrëveshje që synon t’i japë fund luftës dyvjeçare izraelite në Rripin e Gazës.

“Mendoj se presidenti e ka bërë të qartë se kjo nuk është diçka që mund ta mbështesim tani për tani”, tha Rubio në lidhje me aneksimin, teksa u nis të mërkurën për një vizitë në Izrael.

Lëvizjet për aneksim “janë kërcënuese për marrëveshjen e paqes”, u tha ai gazetarëve.

“Ata janë demokraci, ata do të votojnë dhe njerëzit do të marrin qëndrime. Por, në këtë kohë, është diçka që ne… mendojmë se mund të jetë kundërproduktive”, tha Rubio.

I pyetur për dhunën në rritje të kolonëve ekstremistë izraelitë kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor, Rubio u përgjigj: “Jemi të shqetësuar për gjithçka që mund ta destabilizojë atë për të cilën kemi punuar”.

Megjithatë, Rubio shprehu optimizëm të përgjithshëm për ruajtjen e marrëveshjes së paqes.

“Çdo ditë do të ketë kërcënime ndaj saj, por, në fakt, mendoj se jemi para afatit sa i përket zbatimit të marrëveshjes, dhe fakti që e kaluam këtë fundjavë është një shenjë e mirë”, tha Rubio.

Shtetet e Bashkuara janë mbështetësi kryesor ushtarak dhe diplomatik i Izraelit, dhe Rubio deri së fundmi ishte përmbajtur nga kritikat ndaj përpjekjeve për aneksim të mbështetura nga aleatët e ekstremit të djathtë të kryeministrit Benjamin Netanyahu.

Por, disa shtete arabe dhe islame, të cilat Shtetet e Bashkuara po përpiqen t’i angazhojnë për të ofruar trupa dhe fonde për një forcë stabilizimi në Gazë, kanë paralajmëruar se aneksimi i Bregut Perëndimor – i cili drejtohet nga Autoriteti Palestinez – është vijë e kuqe.

Bregu Perëndimor është ndër tokat që Izraeli i pushtoi në luftën e Lindjes së Mesme në vitin 1967, dhe ku palestinezët, me mbështetje ndërkombëtare, kërkojnë ta krijojnë shtetin e vet.

Rreth 700.000 kolonë izraelitë jetojnë mes 2.7 milionë palestinezëve në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor, të cilin Izraeli e aneksoi në një veprim që nuk njihet nga shumica e vendeve.

Izraeli nuk pranon të heqë dorë nga kontrolli mbi Bregun Perëndimor.

Shumica e bashkësisë ndërkombëtare i vlerëson vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor si të paligjshme sipas së drejtës ndërkombëtare.

Izraeli e kundërshton këtë, duke cituar lidhjet historike dhe biblike me këtë tokë dhe duke thënë se vendbanimet ofrojnë thellësi strategjike dhe siguri. / REL

Burimi: botasot.info

VERO JUMBO MACEDONIA

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

29 vjecarja shqiptare u vra nga bashkeshorti ne kanada flet nena e saj me tha se nese qendronte me te ai do e 68fa14847b260
Lajmi i mëparshëm

29-vjeçarja shqiptare u vra nga bashkëshorti në Kanada, flet nëna e saj: Më tha se nëse qëndronte me të, ai do e…

osbe odihr del me 25 rekomandime per reformen zgjedhore 68fa19bba2796
Lajmi i radhës

OSBE/ODIHR del me 25 rekomandime për reformën zgjedhore

Të fundit nga

Moti sot: I vranët, me reshje shiu

Sot pritet të mbajë mot me vranësira të shpeshta dhe intervale të shkurta me diell, ku pritet herë pas here të ketë reshje të pakta lokale shiu. Era do të fryjë kryesisht
ShkoLartë