Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi u ndal sot gjerësisht te problematika e çmimit të naftës, ndikuar nga situata në Lindjen e Mesme.
I ftuar në “Syri Tv”, Boçi u shpreh se çmimi i naftës në Shqipëri pësoi një rritje galopante, krahasuar kjo edhe me vendet e rajonit.
Sipas Boçit, pavarësisht se nafta është produkti bazë i transportit, nevojiten mekanizma shtetërore që të mund të lehtësojnë barrën fiskale, që ndikon në jetën e përditshme të shqiptarëve, teksa akuzoi kryeministrin Edi Rama se po bën propagandë lidhur me këtë çështje.
“Mos harrojmë këtu atë deklaratën e famshme të ministrit të infrastrukturës, i cili në vigjilje të rritjes së çmimeve për shkak të luftës, deklaroi që Shqipëria nuk impaktohet nga nafta iraniane, nga pengesa në ngushticën e Hormuzit, por ndërkohë çmimi i naftës rritet në mënyrë galopante, madje diferenca e këtij çmimi në raport me vendet e rajonit është shumë e madhe, por jo vetëm me vendet e rajonit, edhe me vendet e tjera të BE-së. Në qoftë se në ato vende shkon deri në 1.8 euro, tani në Shqipëri është 2.4 euro, në qoftë se e marrim me kursin e këmbimit që ka leku me euron.
Dhe patjetër që duke qenë se nafta është produkti bazë i transportit dhe i shumë elementëve të tjerë, impakton dhe rritjen e çmimeve në të gjitha produktet. Dhe këtu ndërhyrja qeveritare është e domosdoshme sepse ajo i ka të gjitha mekanizmat që të lehtësojë një barrë të caktuar fiskale ndaj këtij produkti, me qëllim që jo vetëm çmimi i naftës, por edhe produktet e tjera që kanë të bëjnë me jetën e përditshme të çdo shqiptari, dhe të atij që nuk ka makinë, të jenë në ato nivele që të jenë të përballueshme. Pasi sot një pjesë e madhe duket që duhet të disbursojnë shumë para për t’u ushqyer, për të siguruar transportin apo për të kryer ato shërbime dhe domosdoshmëri që qytetari i ka përgjatë ditës së tij. A ka gatishmëri?
Rama është mësuar të bëjë propagandën, ndërton një bord, pretendon ulje akcize, pretendon kontroll tregu dhe në fakt nuk bën asgjë nga këto. Vëmendja e tij, normal, është tek pozicioni i tij, është tek vështirësia që ai ka në raport me drejtësinë dhe patjetër që kërkon njëkohësisht edhe me iniciativa gjoja ligjore të largojë vëmendjen, qoftë nga kriza ekonomike që ka trokitur tashmë në Shqipëri, shfaqur në shumë dimensione, qoftë edhe nga kriza korruptive, ta themi si një term i ri, në të cilin gjendet ai vetë dhe nga e cila qartazi duket që nuk do ketë shpëtim, thjesht zgjat kohën e tij derisa dhe ai të paraqitet vetë sikurse Balluku dhe të tjerët para dyerve të SPAK-ut për të gjitha ato afera korruptive ku dora e tij është dora kryesore dhe ku ai është i zhytur kokë e këmbë.
Konsideroj këtu sidomos AKSHI-n, plus aferat e inceneratorëve apo të koncesioneve apo të rrugëve që tashmë kanë plasur dhe opinioni publik është shumë i qartë për këtë, por jo vetëm opinioni publik, por edhe faktori ndërkombëtar, i cili në një lloj ngërçi, por sido që të jetë, ka shprehur qartazi qëndrimet e tij me dritë-hije në disa raste, por ka një zhvillim shumë të madh në raport me mënyrën si e shohin sot Edi Ramën dhe qeverinë shqiptare. Dihet që Shqipëria tashmë ka ngecur në negociatat e saj, faji nuk është i shqiptarëve dhe faji kryesor është i Edi Ramës, sjelljes së tij me drejtësinë, por edhe me korrupsionin tek anëtarët e qeverisë, por dhe tek vetja e tij.
Unë besoj këtu që ka një pranueshmëri të spekulimit në tregun e karburanteve. Përderisa dhe vetë kryeministri e shpreh që evazioni qenka i jashtëzakonshëm, u desh kjo ditë që ky ta deklarojë, që nuk e paska ditur deri më tani. Ndërsa masat e tij janë fare të thjeshta, fare të zakonshme, ndërkohë që do duhej një ndërhyrje e jashtëzakonshme. Ne shpesh e kemi tërhequr këtë vëmendje sepse sasia e deklaruar e naftës në Shqipëri mbetet pothuajse e njëjtë ndër vite, ndërkohë që numri i makinave dihet shumë mirë, shtohet vit pas viti me një ritëm të lartë. Dhe shqiptarët disponojnë jo më nga një makinë, por nga dy makina, por sasia e naftës dhe e karburanteve për çudi mbetet e njëjta”,-deklaroi Boçi.
Burimi: botasot.info


