Rrëmbyesit në Nigeri kanë vrarë të paktën 38 persona që i rrëmbyen nga një fshat në shtetin verior Zamfara, pavarësisht shpërblimeve që u paguan për lirimin e tyre, tha një zyrtar lokal për BBC-në.
Në vitet e fundit, bandat kriminale në rajon, të njohura në vend si banditë, kanë filluar të rrëmbejnë njerëz si një mjet për të mbledhur para.
Në këtë incident, 56 persona u morën nga fshati Banga, zona e qeverisjes vendore Kauran Namoda në mars.
Personat e armatosur më pas kërkuan një shpërblim një milion naira (655 dollarë) për çdo rob, raportojnë mediat në Nigeri.
Kryetari i qeverisjes vendore Manniru Haidara Kaura tha se shumica e të vrarëve ishin të rinj që “u masakruan si desh”.
“Ajo që ndodhi ishte se banditët kërkuan para për shpërblim, dhe pas disa debateve, atyre iu dha ajo që kërkuan. Pastaj liruan 18 persona, përfshirë 17 gra dhe një djalë të vogël, të shtunën. Vetëm ata [personat e armatosur] e dinë pse i vranë. Ata janë njerëz të pandjeshëm dhe të pashpirt”, tha ai.
Gjashtëmbëdhjetë nga ata që u liruan të shtunën janë në spital duke marrë trajtim, ndërsa trupat e 38 të vrarëve nga banditët nuk ka gjasa të kthehen pasi në këto raste kufomat rrallë lirohen, transmeton KosovaPress.
Burimi: botasot.info


