Qytetarët e Tiranës tanimë kanë mundësinë të ndjekin në kohë reale lëvizjen e autobusëve të transportit publik përmes platformës Google Maps.
Bashkia e Tiranës ka njoftuar këtë të enjte, më 7 gusht se kjo risi vjen si rezultat i një bashkëpunimi me GIZ Albania dhe Albanian Technology Distribution (ATD).
Integrimi i GTFS-RT (General Transit Feed Specification – Real Time) në Google Maps lejon qytetarët dhe turistët të planifikojnë më mirë udhëtimet e tyre, duke pasur informacion të saktë për kohët e mbërritjes dhe lëvizjes së mjeteve në të gjitha linjat e kryeqytetit.
“Kjo risi, jo vetëm që do të përmirësojnë planifikimin e udhëtimit dhe kohët e sakta të mbërritjes së autobusëve për mijëra pasagjerë të përditshëm, por do të përdoren gjithashtu për menaxhimin e cilësisë së shërbimit, duke ndihmuar në optimizimin e operacioneve të transportit publik.”, thuhet në njoftimin e Bashkisë.
Ndërkohë shtohet se vijon puna për të sjellë teknologji dhe zgjidhje të ngjashme në qytete të tjera të vendit, me synimin për të modernizuar dhe përmirësuar shërbimet e transportit publik në nivel kombëtar.
Burimi: botasot.info


