Rinovimet e fundit në spitalin e Ferizajt po vlerësohen se kanë ndikuar që të krijohen kushte më të mira për punë. Ndonëse investimet janë mirëpritur edhe nga pacientët e kësaj komune, si zgjidhje më e mirë shihet ndërtimi i një objekti të ri.
Ndonëse me një objekt të vjetruar dhe me hapësirë të kufizuar, personeli i Spitalit të Ferizajt, në baza ditore ofron shërbime të shumta për qytetarët. Madje së fundi ka rinovuar hapësirat e repartit të gjinekologjisë, duke krijuar kushte optimale për punë. Këtë projekt e ka vlerësuar stafi i repartit duke vëne në dukje se janë krijuar kushte për punë profesionale.
“Është një repart i cili ka ndryshuar komplet. Ndryshimet janë pozitive sa që po vërehen si në punën tonë profesionale si mjekë po ashtu edhe tek pacientët. Falënderojmë menaxheret e Spitalit dhe të SHSKUK-së në Prishtinë që kanë ndihmuar që ky spital të ketë pajisjet e duhura mjekësore, në këtë rast dy ultrazëra të rinj, e veçanërisht duhet theksohet me pajisjet me ajrin medicinal të cilat janë nëpër sallat operative”, tha Minire Alilaj, shefe e repartit të Gjinekologjisë.
Se ky investim është tejet i qëlluar e kanë thënë edhe pacientët, teksa e kanë çmuar punën e stafit në ofrimin e shërbimeve profesionale.
“Realisht duke u nisur nga kuptimi që kujdesi shëndetësor luan rol jashtëzakonisht shumë të madh për pacientët, sigurisht që edhe renovimi në institucionet shëndetësore luan një rol të madh për neve si pacient”, tha Albulena Lecaj Mema, paciente.
Drejtuesit e Spitalit në Ferizaj kanë çmuar lart përkrahjen nga SHSKUK-ja, në realizmin e kërkesave për furnizim me pajisje shëndetësore.
“Gjithë ky investim bëhet në koordinim me spitalin e përgjithshëm e me shefat e njësive. Qëllimi është që sado kudo të bëhet një komoditet dhe të rritet cilësia dhe normal të zgjerohet gama e shërbimeve mjekësore që ofron Spitali i Përgjithshëm në Ferizaj më këto kapacitete që i ka, si në atë hapësinore ashtu edhe të resurseve njerëzore”, tha Fikret Arifi, ud i drejtorit të spitalit të Ferizaj.
Kohë më parë në këtë spital janë rinovuar reparti i pediatrisë dhe sallat operative të kirurgjisë. Ndonëse investimeve të dukshme, problemin përfundimisht do ta zgjidhte vazhdimi i projektit të spitalit të ri cili prej vitesh ka mbetur në mëshirën e kohës.
Burimi: botasot.info


