rezultati i zgjedhjeve alarm per ndryshim radikal ne pdk 6956b23ee3c0c

Rezultati i zgjedhjeve, alarm për ndryshim radikal në PDK

January 1, 2026
min lexim

Zgjedhjet e së dielës nxorën Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) si partinë e dytë sipas votave të qytetarëve. Megjithatë, rezultati i arritur nuk ishte ai i pritshëm, dhe brenda partisë u shpreh zhgënjim për numrin e votave. Ditën e zgjedhjeve, zyrtarët e PDK-së nuk dhanë deklarata, ndërsa kryetari i partisë, Bedri Hamza, një ditë më pas paralajmëroi reforma të brendshme, duke theksuar nevojën për reflektim dhe ndryshime që duhet të nisnin nga baza e partisë pas rezultatit zgjedhor. Ky veprim shihet si një sinjal për një reagim strategjik pas zgjedhjeve.

Pyetja që lind tani është: pas këtij rezultati, a do të pozicionohet PDK-ja si një opozitë e qartë ndaj qeverisë së re, apo do të hyjë në llogaritje për koalicione të mundshme?

Mehmeti: PDK-ja përballë dilemës mes opozitës parimore dhe kalkulimeve për pushtet

Image

Faton Mehmeti

Pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, Partia Demokratike e Kosovës gjendet përballë një dileme klasike politike: Ndërtimin e një profili të qartë opozitar apo hyrjen në kalkulime pragmatike për pushtet, vlerëson analisti politik Faton Mehmeti.

“Nëse PDK-ja zgjedh të pozicionohet si opozitë parimore, kjo do të nënkuptonte distancim nga pazaret politike, mbikëqyrje të fortë të qeverisë së re dhe artikulim të një alternative serioze për zgjedhjet e ardhshme”.

Një qasje e tillë, thekson Mehmeti, do t’i shërbente rikthimit të besimit qytetar, veçanërisht pas një periudhe të gjatë së cilës perceptimi i qytetarëve ndaj PDK-së dhe LDK-së ka qenë dhe mbetet kritik.

Në anën tjetër, analisti thekson se hyrja e PDK-së në kalkulime për koalicione do ta vendoste atë në rolin e një aktori vendimtar për krijimin e shumicës parlamentare.

Megjithatë, sipas tij, kjo rrugë bart rrezikun që partia të perceptohet si një subjekt i interesave afatshkurtra, i gatshëm të sakrifikojë parimet në këmbim të pushtetit.

“Një koalicion i tillë, pa një marrëveshje të qartë programore, mund të dëmtojë edhe më tej besimin politik ndaj PDK-së”, përfundon Mehmeti.

Duhanaj: Rezultati i zgjedhjeve, alarm për PDK-në për ndryshim radikal në qasje

Image

Leon Duhanaj

Zgjedhjet e 28 dhjetorit, sipas aktivistit dhe anëtarit të PDK-së, Leon Duhanaj, nxorën në pah një fenomen që nuk është i veçantë vetëm për Kosovën, por vlen edhe për shumë vende të botës: qytetarët, të hutuar nga lajmet e rreme, shpesh nuk janë në gjendje të formojnë një perceptim të saktë mbi gjendjen reale në të cilën jetojnë.

“Kur qytetarët kalojnë pesë vite duke u ankuar për mjerim social, por prapë votojnë të njëjtën qeveri, atëherë vërtetë e meritojnë qeverinë që kanë dhe, bashkë me të, edhe mjerimin që ajo sjell”, thekson Duhanaj.

Sipas tij, çështja se si do të sillet PDK pas zgjedhjeve duhet të vendoset nga kryesia e partisë.

“Si individ dhe aktivist, mund të them se ky rezultat duhet të shihet si një alarm për ndryshim radikal në qasje”, shton ai.

Duhanaj thekson se rezultatet zgjedhore dëshmojnë se qytetarët kosovarë, po ashtu siç kanë harruar historinë e largët, duket se kanë harruar edhe historinë më të re të UÇK-së dhe të lirisë dhe pavarësisë. Për këtë arsye, sipas tij, PDK duhet të ofrojë alternativa të reja programore dhe qasje të re në politikë.

Ai shton se bashkimi me Lëvizjen Vetëvendosje nuk përbën zgjidhje, aq më pak kur një gjë e tillë nuk është e dëshirueshme as nga VV-ja.

“PDK duhet të gjejë vetveten, të ndryshojë mënyrën e aktivizimit politik dhe të përshtatet me rrethanat e reja përmes politikave proaktive, duke krijuar ide mbi temat akute të shoqërisë”, thekson Duhanaj.

Sipas tij, partia duhet të heqë dorë nga politika e komentimeve të veprimeve të kryeministrit Kurti dhe të marrë përgjegjësi nga pozita që ka, si opozitë.

 “Opozitë e fortë, e bazuar në ide dhe e mbështetur me veprime demokratike të nevojshme, është rruga që PDK duhet të ndjekë”, përfundon Duhanaj.

Burimi: botasot.info

VERO JUMBO MACEDONIA

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

perandoria luksoze e ronaldos 6956b135d892b
Lajmi i mëparshëm

Perandoria luksoze e Ronaldos

tradita 80 vjecare e zhytjes ne lumin tiber italianet i bashkohen hedhjes nga ura romake 6956b280b8005
Lajmi i radhës

Tradita 80-vjeçare e zhytjes në lumin Tiber/ Italianët i bashkohen hedhjes nga ura romake

Të fundit nga

ShkoLartë