reporteret pa kufij ben bilancin tragjik 67 gazetare u vrane ne 12 muajt e fundit 69380d281e57d

Reporterët pa Kufij bën bilancin tragjik: 67 gazetarë u vranë në 12 muajt e fundit

December 9, 2025
min lexim

67 gazetarë janë vrarë gjatë 12 muajve të fundit, si pasojë e punës së tyre, u tha në raportin e ri të Reporterëve pa Kufij, organizatë që e cilësoi vitin 2025 si “vit vdekjeprurës për gazetarët”.

“Gazetarët thjesht nuk vdesin, ata vriten. Numri i gazetarëve të vrarë është rritur sërish për shkak të praktikave kriminale të grupeve ushtarake – si të rregullta ashtu edhe paramilitare – dhe krimit të organizuar. Të paktën 53 nga 67 profesionistë të mediave të vrarë gjatë vitit të fundit ishin viktima të luftës apo rrjeteve kriminale”, tha Reporterët pa Kufij.

Sipas raportit, pothuajse 43 për qind e gazetarëve të vrarë në 12 muajt e fundit u vranë nga Gazë nga forcat e armatosura izraelite.

Pesë gazetarë në mesin e 20 të vrarëve nga sulmet izraelite në Gazë
Në Ukrainë, ushtria ruse “vazhdon të shënjestrojë gazetarët ukrainas dhe të huaj”, tha raporti.

“Gazetarët janë më në rrezik në shtetet e tyre. Vetëm dy gazetarë të huaj u vranë gjatë këtij viti: fotoreporteri francez Antoni Lallican, u vra nga një sulm rus me dron në Ukrainë, dhe gazetari nga Salvadori Javier Hercules, u vra në Honduras, ku po jetonte prej një dekade. Të gjithë gazetarët e tjerë të vrarë janë vrarë në shtetet e tyre”, thanë Reporterët pa Kufij.

Sudani po ashtu është shndërruar në një zonë vdekjeprurëse lufte për gazetarët. Ndërkaq, në Meksikë grupet e krimit të organizuar janë përgjegjëse për rritjen e numrit të gazetarëve të vrarë. Ky shtet, është shteti i dytë më i rrezikshëm në botë për gazetarët, sipas Reporterëve pa Kufij, pasi aty janë vrarë nëntë gazetarë.

Aktualisht, 503 gazetarë janë të arrestuar në mbarë botën, ku Kina ka numrin më të lartë (121), pasuar nga Rusia (48) që ka të arrestuar më shumë gazetarë të huaj se çdo vend në botë, përfshirë 26 ukrainas. Në vendin e tretë sa i përket arrestimit të gazetarëve është Mianmari, që njihet edhe me emrin Burma.

Sipas raportit, 135 gazetarë janë të zhdukur në 37 shtete të botës, kryesisht në Lindjen e Mesme dhe Amerikë Latine. Këtu përfshihet edhe Kosova me pesë gazetarë që janë të zhdukur që nga lufta e vitit 1998-99.

Reporterët pa Kufij thanë se 20 gazetarë janë mbajtur peng, të gjithë burra. Tri shtetet që konsiderohen me rrezikshmërinë më të lartë për pengmarrje të gazetarëve janë Jemeni, që ka nëntë gazetarë që i mban peng, Siria me tetë dhe Mali dy. Sa i përket Jemenit, gazetarët janë marrë peng nga rebelët Huthi.

Në raportin e këtij viti, Reporterët pa Kufij kanë përfshirë edhe sulmet fizike ndaj gazetarëve. Në këtë drejtim është përmendur edhe situata në Serbi.

“Që nga fillimi i protestave kundër korrupsionit, të nxitura nga rrëzimi vdekjeprurës i strehës së një stacioni treni në nëntor të vitit 2024, profesionistët e mediave serbe që mbulojnë demonstratat janë subjekt i të paktën 98 sulmeve fizike, sipas regjistrimeve të Reporterëve pa Kufij, nga të cilat 91 kanë ndodhur që nga 1 janari 2025. Rreth gjysma e këtyre sulmeve janë kryer nga policia me pandëshkueshmëri të plotë, në një klimë të formësuar nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ndaj mediave. Ai ndodhet në listën tonë për vitin 2025 si një nga kërcënuesit e lirisë së shtypit”, u tha në raport.

Gjashtëmbëdhjetë persona janë vrarë nga shembja e strehës në Novi Sad, teksa protestuesit, të udhëhequr nga studentët që një vit po kërkojnë përgjegjësi për incidentin dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Ndryshe, më 2 maj, në prag të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, Reporterët pa Kufij publikuan indeksin vjetor për lirinë e shtypit, ku Kosova shënoi rënien më të madhe ndër vite, duke u renditur në vendin e 99-të nga 180 shtete të botës.

Kosova u rendit më së keqi në zonën e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian. Mali i Zi u rendit më së miri nga vendet e rajonit, ndërkaq Serbia u radhit në vendin e 96-të. /rel


Top Channel

Burimi: top channel

VERO JUMBO MACEDONIA

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

cfare thuhet ne planet e reja te shba se per politiken e jashtme 69380b7d235d6
Lajmi i mëparshëm

Çfarë thuhet në planet e reja të SHBA-së për politikën e jashtme?

pacienti qe iku nga enti special ne shtime konsiderohet i rrezikshem per sigurine publike 6938124fe4e3f
Lajmi i radhës

Pacienti që iku nga Enti Special në Shtime, konsiderohet i rrezikshëm për sigurinë publike

Të fundit nga

ShkoLartë