Përveç efektit në rënien e kërkesës të shitblerjes së pasurive të paluajtshme, vijimi i aksioneve të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për grupet kriminale për pastrim parash, po ndihet edhe te konsumi i bareve dhe restoranteve.
Shoqata e Bareve dhe Restoranteve pohon se për muajin qershor konsumi në baret dhe restorante ka rënë nga 30 deri 35% krahasuar me vjet. Në tërësinë e konsumit, sipas shoqatës së Bareve dhe Restoranteve ka ndikuar ulja veçanërisht në zonat bregdetare.
Enri Jahja kryetar i shoqatës tha për Monitor se përveç hetimeve të SPAK, te tkurrja e konsumit kanë ndikuar edhe faktorë të tjerë, përfshirë shtimin e hoteleve me shërbim “all inclusive” bregdet apo edhe turistët low cost që vijojnë të dominojnë në vend edhe për këtë sezon.
Në bare dhe restorante konsumi edhe për këtë sezon turistik vijon të shfaqet me rënie që arrin deri në 35%. Përjashtuar muajin maj, ku tendenca e konsumit u shfaq me rritje krahasuar me muajin maj 2025, në muajin qershor pati rënie të konsiderueshme. Pritshmëritë për përmirësim mbeten të vakëta për muajin korrik.
Shkaqet kryesore të rënies së konsumit janë disa. Së pari, hetimet që po kryen SPAK ndaj grupeve kriminale për pastrim parash, kanë stepur shumë individë të ekspozohen në bare dhe restorante, pra individë që gjernerojnë para me origjinë të dyshimtë. Kjo po ndihet veçanërisht në zonën e jugut, në bregdet. Disa prej tyre për t’u ekspozuar në bare dhe restorante kërkojnë ambiente “prive” që restorantet apo baret e konsoliduara nuk e ofrojnë. Kjo situatë ka dhënë efekt te konsumi. Ky grup shquhet për konsum të lartë për frymë dhe shpenzime pa limit për pije të shtrenjta.
Faktor tjetër është rritja e ofertës së strukturave akomoduese në jug të vendit që ofrojnë shërbim “all inclusive”, pra me 3 vakte ushqimi apo 2 (mëngjes dhe darkë). Për rrjedhojë kjo ka sjellë rënie të konsumit të vaktit të drekës apo darkës në restorante. Veçanërisht efekti po ndihet në zonën e Ksamilit.
Së treti në Shqipëri vijon të dominojë turisti low cost, i kujdesshëm në shpenzime për restorante dhe më tepër konsumon brenda ambienteve të apartamentit ku është akomoduar”.
Për sa i përket çmimeve, Jahja pohon se këtë sezon turistik nuk ka pasur rritje të tyre. Sipas tij shpenzimet mesatare për individ në restorant variojnë nga 20 deri 40 euro.
Konsumi në bare dhe restorante shënoi rënie edhe gjatë periudhës janar–shtator 2025, duke u ulur me 10 deri në 15% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas kryetarit të Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve, Enri Jahja rënia u ndikua prej faktorëve ekonomikë dhe demografikë.
Në vend janë gjithsej 15,5 mijë bare, nga 22 mijë në vitin 2015, duke qenë aktiviteti i dytë më i preferuar në vend, pas biznesit të pakicës.
Problematikë për sektorin vijon të mbetet edhe vështirësia për gjetjen e punonjësve, por edhe informaliteti për pagat e tyre. Pavarësisht punësimeve të punonjësve të huaj, Shoqata e Bareve dhe Restoranteve llogarit një vakancë vendesh nga 10 mijë deri në 20 mijë punonjësish./Monitor
Burimi: botasot.info


