rektori i universitetit te tetoves prof dr jusuf zejneli u dekorua me titullin prestigjioz ambasador i paqes 68d052911362e

Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli u dekorua me titullin prestigjioz “Ambasador i Paqes”

September 21, 2025
min lexim

Më 20 shtator 2025, në atmosferën e ngrohtë dhe simbolike të Samitit Ndërkombëtar Rinor për Paqe (BIYSP 2025), që po mbahet në Mitrovicë nga 20 deri më 22 shtator, një nga momentet më të veçanta ishte ceremonia e ndarjes së çmimeve dhe titujve “Ambasador i Paqes”. Ky samit ka mbledhur mbi 120 përfaqësues nga më shumë se 40 vende të botës, në mes tyre të rinj, profesorë, ekspertë ndërkombëtarë dhe organizata të shoqërisë civile, me synimin për të ndërtuar ura bashkëpunimi dhe për të promovuar kulturën e paqes në Ballkan dhe më gjerë.
Në këtë ngjarje, të pranishëm ishin shumë personalitete, të rinj e të reja nga shumë vende të botës në mesin e të cilëve edhe ish Presidenti i Shqipërisë z.Alfred Mojsiu, Presidenti i Kosovës, z.Fatmir Sejdiu, Kryetarja e Preshevës znj.Ardita Sinani, Kryetari i Komunës së Mitrovicës z.Bedri Hamza etj. Vend të veçantë në këtë samit pati Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, i cili u dekorua me titullin prestigjioz “Ambasador i Paqes”. Ky vlerësim i është dhënë për kontributin e tij të vazhdueshëm në fushën e arsimit dhe në nxitjen e dialogut ndërkulturor e ndëruniversitar, duke e shndërruar akademinë në një hapësirë të rëndësishme të bashkëpunimit dhe mirëkuptimit.
Në fjalimin e tij, Rektori i UT-së Prof. Dr. Jusuf Zejneli theksoi se ky titull nuk është vetëm një mirënjohje personale, por edhe një ftesë për angazhim më të madh në shërbim të paqes: “Çmimin nuk e konsideroj vetëm si një vlerësim personal, por edhe si ftesë për të punuar me përgjegjësi, përkushtim dhe vullnet për paqen në planin lokal, rajonal e global”.
Ai solli në kujtesë fjalët e Herodotit për dallimin në mes paqes dhe luftës: “Në kohë paqeje fëmijët i varrosin prindërit, kurse në kohë lufte janë prindërit që i varrosin fëmijët.” Sipas tij, pjesa e dytë e kësaj thënieje është një tragjedi që duhet të na bëjë të vetëdijshëm për nevojën e përhershme të punës për paqe.Duke iu drejtuar studentëve të pranishëm, Rektori theksoi rolin e rinisë si motor i ndryshimeve pozitive:
“Ju, të dashur studentë, me mendje të hapur, energji dhe ide, jeni forca që mund ta bëni botën më të bukur për të gjithë njerëzit, pavarësisht përkatësisë etnike, religjioze, ideologjike apo sociale”.
Ndër të tjera Prof. Dr. Jusuf Zejneli shtoi se paqja është kusht për zhvillim dhe përparim dhe se nismat rinore për paqe marrin një rëndësi të posaçme në kohën kur bota përballet me konflikte të reja dhe tensione gjeopolitike. Për këtë arsye, ai i ftoi të rinjtë të besojnë në fuqinë e solidaritetit dhe të përcjellin mesazhe të paqes kudo që ndodhen. Dekorimi i Rektorit të UT-së me titullin “Ambasador i Paqes” është një mesazh i qartë se universitetet dhe rinia mund të jenë shtyllat më të forta për ndërtimin e një shoqërie më të drejtë, më të qetë dhe më të bashkuar. Në këtë mënyrë, BIYSP 2025 nuk është vetëm një ngjarje ndërkombëtare, por një thirrje e përbashkët që Ballkani dhe bota të shohin te rinia garancinë më të madhe për një të ardhme paqësore.

VERO JUMBO MACEDONIA

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

IZET MEXHITI
Lajmi i mëparshëm

Mexhiti dhe ish myftiu i Shkupit Berisha bashkojnë vizionin për të rinjtë dhe të ardhmen (FOTO)

vrasja e gentian bejtjas udhetimet e mistershme te te dyshuarve nga serbia ne dubai si rezervoheshin biletat 68d053fd70fbf
Lajmi i radhës

Vrasja e Gentian Bejtjas, udhëtimet e mistershme të të dyshuarve; nga Serbia në Dubai, si rezervoheshin biletat

Të fundit nga

ShkoLartë