Republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së kanë nisur zyrtarisht procedurat për shpërfillje të Kongresit nga ana e Bill dhe Hillary Clinton, pasi ish-çifti presidencial refuzoi të dëshmonte në kuadër të hetimit për rastin Jeffrey Epstein, pavarësisht thirrjes për t’u paraqitur para Komitetit Mbikëqyrës të Dhomës.
Sipas mediave kryesore amerikane, disa anëtarë demokratë të Komisionit kanë votuar gjithashtu në favor të nisjes së këtyre procedurave, duke shënuar një zhvillim të pazakontë dypartiak.
Me miratimin e Komitetit Mbikëqyrës, çështja kalon për votim në sallën plenare të Dhomës së Përfaqësuesve. Nëse procedura miratohet edhe aty, rasti do t’i referohet Departamentit të Drejtësisë, i cili mund të vlerësojë ngritjen e akuzave penale për shpërfillje të Kongresit. Në një skenar të tillë, Bill dhe Hillary Clinton mund të përballen me gjoba deri në 100 mijë dollarë dhe deri në një vit burg.
Ky veprim konsiderohet si një përshkallëzim i fortë i tensioneve mes Clintonëve dhe administratës Trump, veçanërisht pas polemikave mbi mos-publikimin e plotë të dosjeve të lidhura me Epstein.
Në orët e fundit, avokatët e Bill Clinton kishin propozuar një zgjidhje alternative, sipas së cilës ish-presidenti do të dëshmonte vetëm para dy drejtuesve kryesorë të Komitetit. Kjo ofertë u refuzua nga ligjvënësit, të cilët e cilësuan atë “absolutisht të paarsyeshme”.
Kryetari i Komitetit, James Comer, deklaroi se “kërkesat e Clintonëve tregojnë bindjen se mbiemri i tyre u jep të drejtë për trajtim të veçantë”, duke theksuar se thirrjet dypartiake kërkojnë dëshmi të betuara dhe të transkriptuara.
Ndërkohë, Ghislaine Maxwell, ish-partnere dhe bashkëpunëtore e Jeffrey Epstein, do të dëshmojë para Komitetit Mbikëqyrës dhe Reformës Qeveritare më 9 shkurt. Sipas kryetarit Comer, ekipi ligjor i Maxwell ka paralajmëruar se ajo pritet të thirret në Amendamentin e Pestë, duke refuzuar t’u përgjigjet pyetjeve të ligjvënësve.
Top Channel
Burimi: top channel


