Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, ka zhvilluar një takim me ambasadorin e Republikës së Sllovenisë, Gregor Presker, ku në fokus ishte procesi i integrimit evropian dhe dinamika e reformave që po zbatohen në vend.
“Sot u takova me ambasadorin e Republikës së Sllovenisë, Gregor Presker, me të cilin biseduam për procesin e integrimit evropian dhe për dinamikën e reformave që po i zbatojmë,” ka deklaruar Sali.
Ai theksoi se gjatë takimit është riafirmuar gatishmëria e Ambasadës së Sllovenisë dhe e shtetit slloven për të vazhduar bashkëpunimin dhe përkrahjen përmes projekteve konkrete. “U riafirmua gatishmëria për vazhdimin e bashkëpunimit dhe mbështetjes përmes projekteve konkrete, në funksion të përshpejtimit të procesit tonë evropian,” u shpreh Sali.
Zëvendëskryeministri i parë falënderoi Republikën e Sllovenisë për ndihmën e deritanishme, duke e vlerësuar atë si një partner të rëndësishëm në rrugëtimin evropian të vendit. “E falënderova Republikën e Sllovenisë për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme në rrugën tonë drejt Bashkimit Evropian,” përfundoi Sali.
Burimi: alfax.mk


