Edhe dëshmitarja e dytë ne rastin e Endrit Nikës, Vlora Makolli, infermiere në QKMF në Fushë Kosovë, në Gjykatën Themelore në Prishtinë tha se viktima Maria Clara Urdangaray gjatë kohës që ishte në autoambulancë ishte e vetëdijshme.
Ajo tha se argjentinasja ishte qenë me dhimbje tërë kohën.
Makolli: Ka gjëmuar tërë kohën dhe kur ka folur ka qenë me dhimbje
“Ne shkojmë direkt tek vendi, shohim si është gjendja e pacientit. Nëse pacienti ka gjakderdhje ne vendosim me ndalë, me bë fashimin, vendoset qaforja, çkado që është e nevojshme nga ana jonë, me urdhër të doktoreshës. E kemi vendosur në barele dhe e kemi futur në autoambulancë. Ne si ekip vendosim dy kanella, tretjen dhe injeksionet për dhimbje, sepse pacientja shihej se ka dhimbje të forta. Doktoresha e ka pyetur për emrin për ta ditur se a është e vetëdijshme në gjuhën angleze. Nuk e kuptoj gjuhën angleze, vetëm atë çka na ka thënë doktoresha. Ajo ka thënë se pacientja po thotë që nuk e ka shtyrë dikush. Tjetër nuk po më kujtohet, ka gjëmuar tërë kohën dhe kur ka folur ka qenë me dhimbje. Gjatë rrugës është qetësuar. Ka thënë edhe se nuk ka dashur me ra”, tha ajo.
Avokati i viktimës, Leotrim Syla, pyeti dëshmitaren se a ka qenë Endrit Nika afër pacientes.
Avokati i viktimës pyet dëshmitaren se a ka qenë Endrit Nika afër pacientes
“Prej kohës kur e keni bartur a ka qenë Endrit Nika afër pacientes”, pyeti ai.
Makolli tha se nuk e ka parë Nikën.
Makolli: Nuk e kam parë Endrit Nikën që ka qenë afër
“Nuk e kam parë që ka qenë afër”, tha ajo.
Endrit Nika akuzohet për vrasjen e shtetases argjentinase Maria Clara Urdangaray, e cila vdiq në QKUK si pasojë e lëndimeve të marra pas rënies nga kati i gjashtë i një hoteli në Fushë-Kosovë.
Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 shkurt 2026, e kishte dënuar Nikën me 18 vjet burgim, por Gjykata e Apelit e kishte aprovuar ankesën e mbrojtjes dhe e kishte kthyer rastin në rigjykim.
Aktakuzën ndaj tij e ka ngritur Prokuroria Themelore në Prishtinë më 11 shkurt 2025. Nika akuzohet se më 1 gusht 2023, pas një mosmarrëveshjeje me të dashurën e tij, fillimisht e kishte goditur atë dhe kishte tentuar ta shkelte me veturë në parkingun e hotelit.
Sipas aktakuzës, përleshja kishte vazhduar edhe në dhomën e hotelit, ku Nika dyshohet se e kishte goditur dhe shtyrë Urdangaray-n drejt qoshes së dhomës, nga ku ajo nuk kishte mundësi të largohej. Prokuroria pretendon se ai e kishte nxjerrë kornizën e dritares dhe e kishte hedhur atë nga kati i gjashtë, si pasojë e së cilës ajo kishte pësuar lëndime që i shkaktuan vdekjen.
Nika ngarkohet për veprën penale “Vrasje e rëndë”.
Burimi: botasot.info


