68
Shkup, 4 nëntor – Profesori universitar Bashkim Selmani, ka vlerësuar se raporti i fundit i Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut njeh disa përmirësime në harmonizimin e legjislacionit dhe bashkëpunimin me institucionet evropiane, por thekson se shumë reforma ende nuk kanë arritur thellësinë e nevojshme për të garantuar ndryshime të qëndrueshme.
“Në mënyrë të veçantë BE-ja thekson se sundimi i ligjit dhe pavarësia e gjyqësorit, si dhe lufta kundër krimit dhe korrupsionit institucional janë fusha që janë të ndjeshme dhe kërkojnë angazhim të sinqertë dhe rezultate të matshme që aktualisht i mungojnë RMV-së. Pra, këto nuk janë vetëm kërkesa teknike të Brukselit, por janë themele mbi të cilat ndërtohet funksionimi demokratik i çdo shteti dhe që këtë proces e përkrahin dhe e dëshirojnë të gjithë qytetarët e RMV-së.”, – deklaroi analisti politik, Bashkim Selmani.
Selmani theksoi se Qeveria duhet ta shohë raportin e BE-së si një instrument profesional për përmirësim dhe jo si dokument kritik.
“Tash është koha që retorika e reformave të kthehet në veprim konkret përmes forcimit të institucioneve, rritjes së transparencës dhe të depolitizimit të administratës publike, pra këto hapa janë jo të detyrueshme, por duhet të jenë prioritet për forcimin, besueshmërinë e shtetit dhe vetvetes ndaj vendeve anëtare të BE-së, përmes një partneriteti serioz në procesin e zgjerimit evropian. Në të njëjtën kohë duhet një qasje gjithëpërfshirëse. BE-ja nuk është vetëm përgjegjësi e Qeverisë, por një proces shoqëror që kërkon konsensus politik, përfshirje akademike dhe angazhim të qytetarëve. Vetëm nëse krijohet ky kohezion, vendi mund të ecë përpara drejt përmbushjes së kritereve të anëtarësimit.”, – theksoi analisti politik, Bashkim Selmani.
Në fund, Selmani theksoi se Maqedonia e Veriut duhet të ndërmarrë hapa konkrete drejt reformave, pasi Bashkimi Evropian tashmë ka treguar gatishmëri për ta pranuar vendin, por mungon disponimi dhe vullneti i Qeverisë për të vepruar në të njëjtën drejtim.
Burimi: zhurnal.mk


