Kryeministri Edi Rama ka bërë një tjetër reagim këtë të premte, më 15 gusht, lidhur me zjarret që kanë përfshirë Shqipërinë dhe rajonin prej javësh, duke iu përgjigjur dhe kritikëve të tij që ankohen për menaxhimin e situatës nga qeveria. Ai i quan ata “piromanë verbalë“.
Rama ka ndarë një video në rrjetin social Facebook nga shteti fqinj Greqia, ku shihen përmasat katastrofike të një vatre zjarri atje. Ai thekson se edhe pse Greqia ka në dispozicion 77 avionë zjarrfikës dhe një histori të gjatë përballjeje me flakët, lufta ndaj zjarreve, sipas tij, mbetet tepër sfiduese.
“Kjo video është një moment tragjik i këtyre ditëve nga përballja e vendit fqinj me zjarret.
Po e postoj për të gjithë ata që flasin nga urrejtja e pashërueshme apo edhe nga sekëlldia e mirëkuptueshme për avionë e për roje pylli, sepse ky vendi fqinj ka 77 avionë zjarrfikës e një historisë të gjatë lufte me zjarret, por lufta me zjarret në kushtet e ndryshimit të klimës është sot ku e ku më e komplikuar se sa duket, kur do të fajësosh qeverinë dhe bërtet pse s’ka avion.”, shkruan Rama duke iu përgjigjur kështu kritikëve.
Duke përdorur një metaforë të fortë, kryeministri i quan kritikët “piromanë verbalë”.
Ndërkohë ai thotë se i ka drejtuar disa pyetje ChatGPT-së lidhur me situatën dhe ka marrë përgjigje se çfarë është piromania dhe piromania verbale, dhe sqaron të dy këto terma pë rata që s’i kuptojnë.
Rama i përshkruan kritikët e tij si “humbësa kronikë”: “Ruhuni nga piromanët verbalë të këtij vendi, humbësa kronikë që nuk kanë asgjë më për të humbur.”
Dy shpjegimet e ChatGPT-së sipas Ramës:
Piromani – Në terma mjekësorë, piromania (zjarrvënia) është një çrregullim i kontrollit të impulseve, ku personi ndien një shtysë të fortë për të ndezur zjarre dhe përjeton një ndjenjë kënaqësie ose çlirimi pas këtij veprimi. Një piroman është një person që, me dashje dhe shpesh për kënaqësi ose impulse personale, i vë zjarr ndërtesave, pyjeve, automjeteve apo pronave të tjera. Në shumicën e vendeve piromania trajtohet si një çrregullim psikologjik që shpesh kërkon trajtim, por edhe si një krim që ndëshkohet rëndë nga ligji.
Piromani verbal – Piromani verbal është një individ që shfaq prirje sistematike për të gjeneruar tension, konflikt ose polarizim shoqëror përmes gjuhës së folur apo të shkruar, shpesh me qëllim përfitimi politik, mediatik ose personal. Ai përdor deklarata të ngarkuara emocionalisht, insinuata, dhe narrativa konspirative si “stimulus ndezës”, duke synuar të shkaktojë reaksione të forta në publik. Ky fenomen mund të shihet si një variant metaforik i piromanisë klasike, ku objekti i shkatërrimit nuk është materiali fizik, por kapitali social dhe besimi publik. Në rastin specifik të akuzave për zjarret, piromani verbal instrumentalizon fatkeqësitë natyrore si “material djegës” diskursiv, duke krijuar një klimë mosbesimi dhe histerie kolektive, pavarësisht mungesës së provave faktike.
Burimi: botasot.info


