Punimet për ndërtimin e parkut rekreativ pranë Urës së Bunës në Shkodër, pjesë e projektit për transformimin urban të hyrjes së qytetit, vijojnë sipas planit dhe pritet të krijojnë një hapësirë moderne, të gjelbër dhe të aksesueshme për qytetarët.
Parku shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 18 hektarësh dhe do të jetë një zonë multifunksionale për pushim, rekreacion dhe aktivitete në natyrë, duke u konceptuar si “mushkëri e re” për qytetin.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga kantieri i punimeve dhe theksoi se projekti synon të krijojë një hapësirë të hapur për familjet, të rinjtë dhe të gjithë qytetarët, duke përmirësuar cilësinë e jetesës dhe duke shtuar hapësirat publike.
“Një hapësirë prej 18 hektarësh, e dominuar nga gjelbërimi, që po merr formë si “mushkëria e re” e qytetit një zonë e hapur për familjet, të rinjtë dhe të gjithë ata që duan natyrën, qetësinë dhe cilësinë e jetesës”, theksoi Rama.
Sipas Kryeministrit, hyrja e Shkodrës nuk po ndryshon vetëm pamje, por po fiton një dimension të ri, më shumë hapësirë publike, më shumë gjelbërim, më shumë jetë.
Punimet përfshijnë sistemimin e territorit, krijimin e shtigjeve pedonale, hapësirave çlodhëse dhe ambienteve rekreative, duke ruajtur harmoninë me mjedisin përreth. Parku ndodhet mes Bunës dhe rrugës kryesore hyrëse të qytetit dhe kombinon zonat e gjelbra me hapësirat për pushim, këndet e lojrave për fëmijë, zonat sportive dhe të piknikut.
Një element i veçantë janë Kopshtet e Pazarit të Vjetër, të cilat pasqyrojnë rëndësinë historike të Pazarit të Shkodrës për qytetin dhe për Ballkanin. Kopshtet përbëhen nga 30 dhoma, që ngjasojnë me rrugicat e pazarit të ndara sipas zejeve, ndërsa gjeometria e tyre është e frymëzuar nga motivet e veshjeve tradicionale të ekspozuara në Muzeun Historik të Shkodrës.
Këndet e lojrave për fëmijë përbëhen nga pesë ishuj lojërash me programe argëtuese për fëmijët e moshave të ndryshme, ndërsa zona e lojërave të tavolinës është e dedikuar për shah, pingpong dhe lojëra të tjera për të gjitha moshat.
Vëmendje e veçantë është kushtuar gjelbërimit. Pemët ekzistuese ruhen dhe parku do të pasurohet me bimësi të re, duke përfshirë pemë të larta, shkurre dhe bimë të ulëta, për të krijuar një hapësirë të bukur, natyrale dhe të qëndrueshme për qytetarët.
Burimi: botasot.info


