Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë fjalës së tij në Forumin global të sigurisë “Future Resilience Forum”, në Londër, ka theksuar se pjesës tjetër të botës i ka ardhur në majë të hundës me leksionet e vazhdueshme të perëndimit, që i imponojnë mënyra jetese, standarde dhe vlera që shpesh janë të dyfishta.
Rama tha se shumë shtete dhe popuj të tjerë kanë kaluar përtej fazës së varfërisë dhe pjekjes, duke u bërë të rritur dhe të pavarur, dhe se nuk është më e mundur që perëndimi të vijë dhe t’u tregojë të tjerëve se si të jetojnë.
Për më tepër, ai u shpreh se është e nevojshme që botën ta shohim si një hapësirë ku të gjithë kanë të drejtën të jetojnë dhe zhvillohen sipas rregullave dhe kulturave të veta.
Ai shtoi se perëndimi duhet të kuptojë se nuk është përgjegjës për të rregulluar mënyrën e jetesës së tjerëve, dhe se sa më shpejt që të pranohet ky realitet, aq më mirë do të jetë për të gjithë. “Nëse e mohojmë këtë, do të jetojmë në një botë shumë të keqe”, paralajmëroi ai, transmeton kp.
Rama: Pjesës tjetër të botës i ka ardhur në majë të hundës me leksionet e perëndimit
“Një gjë që është mjaft e prekshme, është se pjesës tjetër të botës i ka ardhur në majë të hundës me leksionet e perëndimit duke iu thënë se si të jetojnë, çfarë është e mirë, çfarë është e keqe, me standardet e dyfishta dhe me të gjithë ato gjepura që iu është dashur ti dëgjojnë dhe të jetojnë me to kaq shumë vite. Tashmë janë të rritur, nuk jetojmë më në një botë ku është një i rritur, perëndimi, dhe të tjerat janë të papjekur, të dobët. Është ndryshe, ka shumë dhe do të ketë shumë më tepër të rritur në botë, kështu që na duhet të gjejmë një mënyrë të re të bashkekzistojmë, të jetojmë dhe ti lëmë të tjerët të jetojnë. Nuk na takon ne të rregullojmë mënyrën e jetesës së tjetrit dhe sa më shpejtë ta kuptojmë një gjë të tillë, aq më mirë do të jetë për ne, në të kundërtën do të jetojmë në një botë shumë të keqe.”, tha ai
Rama shtoi se për të krijuar një botë të qëndrueshme dhe harmonike, ne duhet të gjejmë mënyra të reja bashkëekzistimi dhe respektimi të diversitetit, duke i lënë hapësirë tjetrit për të jetuar sipas mendësisë dhe vlerave të tij.
Burimi: botasot.info


