Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me ftesën zyrtare që presidenti amerikan Donald Trump i ka bërë Shqipërisë për të qenë pjesë e Bordit të Paqes.
Në një reagim në rrjetet sociale, Rama shkruan se Shqipëria nuk do të paguajë 1 miliard euro për anëtarësimin dhe se në vendin tonë nuk do të strehohen emigrantë nga Palestina.
Kryeministri i cilëson të pavërteta pretendimet se në Bordin e Paqes janë ftuar të gjitha vendet anëtare të OKB-së dhe se Shqipëria do të ketë detyrime financiare.
Sipas Ramës, pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë strukturë përbën një vlerësim ndërkombëtar për vendin.
Postimi i plotë i Edi Ramës:
Tenxheret politike mediatike po bubullojnë e gërrgërrojnë aq fort sa thua se në Bordin e Paqes së Presidentit Trump nuk është ftuar Shqipëria, po një vend armik i Shqipërisë!
Në Bordin e Paqes janë ftuar të gjitha shtetet e OKB
GËNJESHTËR
Shqipëria do të paguajë 1 miliardë EURO
GËNJESHTËR
Palestinezët do të vijnë në Shqipëri
GËNJESHTËR
E vërteta është shumë e thjeshtë se sa ç’pjell, sidomos në çdo rast kur nderohet Shqipëria, mllefi i injorancës dhe inati i ligësisë:
Tenxheret politike e mediatike të mexhelisit tonë janë teneqera të zhurshmshme Shqipërisë së vjetër, ndërsa kjo që po vazhdojmë të ndërtojmë me shumë mund e këmbëngulje të madhe është një Shqipëri Tjetër, e dinjitetshme ndërkombëtarisht dhe e respektuar botërisht.
Sa për mua personalisht, rëndësi ka vetëm besimi i shumicës së shqiptarëve, që më kanë ngjitur e mbajtur katër herë në majën e shtetit shqiptar dhe respekti i atyre që janë në majat e botës a të Europës, i cili më duhet mbi të gjitha për të nderuar e lartësuar Shqipërinë.
Ky është një moment i jashtëzakonshëm i Shqipërisë, ku tërbimi i tenxhereve thjesht na siguron se sa më shumë lehin qentë, aq më përpara është duke shkuar karvani.
Burimi: botasot.info


