Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka mohuar nga Dublini se ishulli i Sazanit i është shitur apo i është dhënë Jared Kushnerit, dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump. Ai ka refuzuar sërish thirrjet për dorëheqje, që vijnë nga protesta e studentëve dhe qytetarëve në Tiranë.
Rama foli të enjten para gazetarëve të huaj në kryeqytetin irlandez, ku po merr pjesë në samitin e nëntë të Komunitetit Politik Evropian.
“Asnjë shitje ishulli”
I pyetur për interesin e Kushnerit për investime në Shqipëri, kreu i qeverisë tha se nuk ka lidhje biznesi me të, por konfirmoi se me grupin e tij po zhvillohen bisedime.
“Nuk kam marrëdhënie biznesi me të. Ai është një nga investitorët që ka shfaqur interes për vendin tonë. Ka një diskutim deri tani me grupin e tij”, tha Rama.
Ai i quajti gënjeshtër raportimet se ishulli në Gjirin e Vlorës i është dhënë investitorit amerikan. “S’ka asnjë marrëveshje, asnjë shitje ishulli, asnjë kërkesë për t’iu dhënë ishulli. Do të mbetet ishull shqiptar dhe shteti shqiptar do të jetë bashkëaksioner në investim”, deklaroi ai.
Sipas Ramës, bisedimet zgjasin prej tri vitesh, ndërsa shteti shqiptar po shqyrton të gjitha procedurat që lidhen me investimin.
“Mandati im është për në BE”
Për protestat që prej muajsh kërkojnë largimin e tij, Rama tha se mandati që mori në zgjedhjet e vitit të kaluar është për ta çuar vendin në Bashkimin Evropian.
“Populli shqiptar më ka dhënë një mandat shumë të fortë për ta udhëhequr vendin drejt Bashkimit Evropian. Kjo ndodhi vitin e kaluar. Pra, ju jeni ndikuar shumë nga gënjeshtrat dhe gjysmë të vërtetat që janë përhapur për Shqipërinë”, u tha ai gazetarëve.
Rama foli edhe për samitin e ardhshëm të NATO-s. Ai tha se Shqipëria është caktuar nikoqire, por data ende nuk është vendosur. “Me siguri jo në vitin 2027. Nëse do të ketë samit në vitin 2028, ai do të mbahet në Tiranë”, tha kryeministri.
Për luftën në Ukrainë, Rama vlerësoi se ka qenë gabim i madh që Evropa u përqendrua vetëm te mbështetja ushtarake për Kievin, pa mbajtur një kanal komunikimi me Moskën. Në Dublin ai u takua edhe me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Vezët para IIEA-së: “Kjo është demokracia”
Rama komentoi edhe protestën e një grupi shqiptarësh që jetojnë në Irlandë. Ata e pritën të mërkurën me thirrje kundër qeverisë para Institutit për Çështje Ndërkombëtare dhe Evropiane (IIEA), ku ai mbajti një fjalim për rrugën evropiane të Shqipërisë.
Sipas gazetës irlandeze “The Irish Times”, të paktën një vezë u hodh në drejtim të tij. Policia irlandeze njoftoi se arrestoi një burrë rreth të 50-ave, i cili më pas u lirua pa akuzë. Protestuesit thanë se kishin marrë bileta për takimin, por instituti ua anuloi, me arsyetimin se aktiviteti ishte vetëm për anëtarët.
“Ishin rreth një duzinë vëllezërish dhe motrash që menduan të më prisnin në një mënyrë tjetër, por kjo është demokracia, çfarë të bëjmë!”, tha Rama. Ai shtoi se ndihet shumë i mirëpritur në Irlandë.
Në Tiranë, protesta drejt muajit të gjashtë
Deklaratat e Ramës vijnë ndërsa protesta kundër qeverisë në Tiranë ka kaluar 165 ditë. Të mërkurën, studentë, pedagogë dhe qytetarë marshuan nga Ministria e Arsimit drejt Kryeministrisë, në një tubim kombëtar që kaloi pa incidente. Kërkesa e tyre mbetet dorëheqja e kryeministrit.
Lëvizja u nxit fillimisht nga plani për një resort luksoz në bregdetin jugor, i mbështetur nga Kushneri. Ajo u përshkallëzua në tetor me protestat e studentëve. Javën e kaluar, deputeti i opozitës Agron Shehaj publikoi një shkresë sipas së cilës SPAK ka nisur hetim për “Albanian Files”, librin që dokumenton projektet e ndërtimit të miratuara gjatë qeverisjes së Ramës.
Burimi: botasot.info


