Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka shpërndarë një pjesë të intervistës së ish-ndihmës sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, në Hagë, duke shkruar se proces shtangës ka njollosur keq drejtësinë ndërkombëtare.
Ish-ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James Rubin ka shprehur shqetësimin e tij për procesin gjyqësor në Hagë. “Kjo është mënyrë e pazakontë për të trajtuar një burrë-shteti i cili është dorëzuar vullnetarisht”, deklaroi Rubin në gjykatore, gjatë dëshmisë së tij në mbrojtje të ish-presidentit, Hashim Thaçi.
Në ditën e dytë të dëshmisë, amerikani James Rubin ka treguar pikëpamjet për këto pesë vjet proces gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ku tha se e shqetëson fakti që katërshja e UÇK-së janë mbajtur kaq gjatë në paraburgim. “Kjo nuk është drejtësi”, theksoi Rubin derisa u shpreh se i ka ditur zhvillimet në UÇK, meqë i ka parë nga afër krerët e saj gjatë luftës.
Pikëpamjet e tij lidhur me këtë proces gjyqësor ai i ka treguar pas pyetjeve të prokurorit të specializuar, James Pace, i cili paraprakisht i tha se “mbrojtja e Thaçit më 25 gusht që ju nuk keni pranuar të merreni në pyetje nga ZPS”.
“Fakti që të akuzuarit janë në paraburgim në Hagë për më shumë se pesë vjet dhe fakti që ata janë dorëzuar vullnetarisht dhe fakti që janë mbajtur të ndaluar për kaq shumë gjatë më shqetëson. Mendoj që lidhet me politikën dhe me shtetin e së drejtës, dhe mua më shqetëson fakti që dikush të jetë i paraburgosur për pesë vjet përpara se të fillojë të ndiqet penalisht një cështje penale, ndërkohë që këta persona janë dorëzuar vullnetarisht dhe kanë qenë shumë bashkëpunues me gjykatën. Kështu që në rastin e të akuzuarit në fjalë, nuk e kuptoj fare se pse është dashur që të qëndrojë në burg për pesë vjet”, deklaroi Rubin në Hagë.
Ai tha se është përgatitur me qindra orë që të jetë dëshmitar i mbrojtjes dhe se “sekretarja e Albright nuk ka pasur këtë lloj drejtësie në mendje kur ka iniciuar Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë”.
Ndëkrohë, kryeministri Rama ka shpërndarë videon e tij duke shkruar “LIRIA KA EMËR”.
“Nga dëshmia e ish-Ndihmës Sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, në Hagë ku një proces shtangës ka njollosur keq drejtësinë ndërkombëtare”, ka shkruar ai.
Burimi: botasot.info


