Dosja e zv/kryeministres Belinda Balluku po merr përmasa më të mëdha, pasi hetimi po thellohet dhe zgjerohet nga ana e SPAK, duke shkuar jo vetëm te provat e reja që dyshohet se lidhin zyrtaren e lartë socialiste me kompanitë private që kanë fituar tenderët, por edhe tek pasuria e saj.
Për shkak se kërkohet kohë më e gjatë për të siguruar provat konkrete dhe për të ardhur letër-porositë, SPAK është në pritje, por në Këshillin e Mandateve për heqjen e imunitetit të Ballukut do të mbahet me dyer të mbyllura dhe aty do dorëzohen provat e reja nga ana e prokurorëve.
Për shkak të sensibilitetit të dosjes, vetë SPAK ka kërkuar që të mbahet mbledhja me dyer të mbyllura, pasi do lexohen edhe provat e reja.
Këto janë detajet që zbardhi sot në studion e “News 24” gazetarja Klodiana Lala, për hetimet që po zhvillon SPAK për rastin në fjalë, duke theksuar se pezullimi nga detyra ndaj Ballukut është në fuqi, edhe pse nuk përjashtoi surprizat pas betejës që kryeministri Rama ka nisur me drejtësinë, ndërsa pritet edhe zbardhja e vendimit nga Kushtetuesja.
“Dosja Balluku është një hetim dhe dosje që ka marrë përmasa të mëdha. Ajo është e pezulluar nga detyra si zv/kryeministre dhe nuk mund të shkojë më në zyrë për të ushtruar funksionin dhe firmosur. Nëse firmos atëherë kjo përbën shkelje, por çfarë s’mund të ndodhë. Sepse ne e dimë edhe betejën që ka nisur kryeministri Rama me drejtësinë, luftën me SPAK, pasi ai ka shqetësim, për të mbrojtur veten dhe Ballukun”, tha Lala.
Gazetarja dha edhe informacione mbi hetimin pasuror që po zhvillohet ndaj zv/kryeministres së pezulluar, ndërsa SPAK po pret edhe letër-porositë nga jashtë vendit, të dërguara vendeve partnere ku dyshohet se mund të fshihen pasuritë e zyrtares.
“Tani asaj i shtohet edhe hetimi pasuror, përveç ai për abuzimin me detyrën nëpërmjet shpërdorimit. Pra SPAK bashkë me hetimet për Ballukun, po bën edhe atë pasuror. Në këshillin e mandateve do dorëzohen edhe këto prova të reja, përfshi edhe ato që po bëhen për pasuritë brenda dhe jashtë vendit. Sepse kërkohet edhe një kohë e caktuar, sepse priten edhe letër-porositë nga vendet e tjera mbi kërkesat e SPAK. Bëhet fjalë për hetime të periudhës nga koha kur Balluku ka nisur deklarimin e pasurisë me formular si funksionare, ndaj edhe kjo kërkon kohë. Por provat e deritanishme mund të paraqiten te Këshilli i Mandateve”, vijoi ajo.
Lala shpjegoi gjithashtu se mbledhja e Këshillit të Mandateve do bëhet me dyer të mbyllura për shkak të dosjes që përmban materiale sekrete. Gjithashtu në hetim të thelluar janë përfshirë edhe kompani të tjera që kanë fituar tenderët me firmë të Ballukut.
“Seanca në Këshillim e Mandateve do bëhet me dyer të mbyllura, e kërkuar nga SPAK, për shkak të sensibilitetit të materialeve dhe dosjes. Janë shumë kompani që po hetohen dhe verifikohen si e Arbër Abazit, e Bashkim Ulajt për Thumanë-Kashar, e Pëllumb Salillarit, kompania Nova e Shtufit, por edhe shumë kompani të tjera që kërkojnë kohë dhe proces, që janë kontrolluar. Hetimi bëhet me faza. Janë sekuestruar formularë, dokumente, kompjutera në këto kompani., hetimi nuk është ndalur vetëm te tenderët të lëshuar nga Balluku, por i gjithë aktiviteti i kompanive, çështje më e zgjeruar dhe hetimi është duke u zgjeruar më tej”, tha gazetarja.
Sipas gazetares, tani Balluku është e pambrojtshme, pasi jo vetëm është e pezulluar nga detyra, por po hetohet edhe pasuria e saj e dyshuar, që nga momenti që ka nisur ta deklarojë si funksionare. Por sipas saj, shqetësimi kryesor i kryeministrit që i ka dalë në mbrojtje, është halli personal.
“Balluku është e pambrojtshme tani, nuk mund të mbrohet më. Vendimi i Kushtetueses tani është i zbatueshëm dhe ajo është pezulluar. SPAK ka thelluar hetimet, ka bërë kontrolle, ka sekuestruar dhjetëra dokumente, telefona, lap-topë, ku përfshihen edhe ata të ish-kreut të ARRSH-së Ervis Berberi, nëpërmjet të cilit u hap hetimi për zv/kryeministren, por është e sigurt se në të gjitha këto materiale ka dhe një provë tjetër për Ballukun. Balluku nuk mund të mbrohet. Rama ka shqetësim të madh ndaj edhe po kryen këto lëvizje, pasi nëpërmjet Ballukut do që të mbrojë veten në fakt dhe ky është shqetësimi kryesor i kryeministrit. Ai po përpiqet që t’i mbrojë duke penguar pezullimet e ministrave nëpërmjet ndryshimeve ligjore, por në fakt do që të mbrojë veten”, u shpreh gazetarja.
Burimi: botasot.info


