Tani kur u riaktualizua mundësia për një takim mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Bruksel, qytetarët për dialogun Kosovë-Serbi dhanë për KosovaPress mendime të ndryshme.
Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, tha të shtunën se është e gatshme ta ndërmjetësojë “së shpejti” një takim të nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë, pasi autoritetet kosovare mundësuan lehtësira të përkohshme për komunitetin serb në Ligjin për të huajt.
Mustafë Morina, qytetar, tha se Albin Kurti duhet të marrë pjesë në takimin me Aleksandar Vuçiqin në Bruksel për të zgjidhur këtë problem. Ai theksoi se dialogu duhet të zhvillohet në nivel të shteteve, duke qenë se Kosova është një shtet i pavarur. Sipas Morinës, përfundimi i dialogut duhet të bëhet sa më shpejt për të siguruar stabilitet dhe investime të huaja në vend.
Vuçiqi duhet ta dijë se pavarësia e Kosovës është punë e kryer që nga 17 shkurti
”Albin Kurti në këtë dialog duhet të kërkojë që me e ditë Vuçiq se kjo është punë e kryer më 17 Shkurt, kur është shpallur pavarësia e Kosovës. Kjo është punë e kryer”, tha Morina.
Nexhip Shulemaja shpreh skepticizëm ndaj partive të tjera politike dhe ndikimit të tyre në këtë dialog. Nga këndvështrimi i tij flet për përpjekjet e Kurtit dhe sfidat që po has.
Shulemaja: Problemet në dialog po shkaktohen nga partitë politike në vend
“Dialogun vetë janë tu e ba këta: LDK-ja, PDK-ja. Këta vetë janë tu e ba këtë rrëmujë. Kjo asht marre e Zotit çka janë tu ba këta… Nuk e dojnë se nuk janë msu ata me udhëheqë shtet njerëzit e pastër. Që janë t’pastër si loti…. “- tha Shulemaja.
Kemajl Tafashiku shpreh besimin e tij te roli i kryeministrit Albin Kurtit në përfundimin e dialogut me Serbinë.
Tafashiku: Kurti nuk lëshon pe në dialog me Vuçiqin
“Nuk ma merr mendja që Kurti lëshon pe. Pasi s’ia ka dhanë dorën kurrë Vuçiqit, prapë s’ka me ia dhanë dorën. Se ai është njeri i përpikët. Kësi njeri për 100 vjet nuk ka me ardhë më. Edhe trim, edhe atdhetar, edhe i mençur”, tha Tafashiku.
Qytetari nga Prishtina, Muhamet Tasheci, tha se kryeministri Albin Kurti duhet të marrë pjesë në takimin e mundshëm me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, duke theksuar se dialogu duhet të vazhdojë dhe se Kosova duhet të përfaqësohet nga një ekip i përgatitur.
Tasheci : Dialogu ka nisur mbrapshtë dhe po i kushton Kosovës
“Po, është stërzgjatur për shumë shkaqe. Janë shumë faktorë. Mbi të gjitha bashkësia ndërkombëtare ka qenë gjithmonë e pasinqertë me ne sa i përket dialogut. Nuk po hyj në histori, pot dialogu u nis mbrapsht. U nis me shantazhe, u nis me njerëz jo të duhur, njerëz jo të përgatitur. Edhe na kanë prurë ku na kanë pru. Kjo na ka kushtuar edhe na kushton edhe do të na kushtojë të ardhmen se ka shkuar gjithçka jo në favorin tonë”, tha Tasheci.
Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, të shtunën pasi Kosova mundësoi lehtësira për serbët në Ligjin për të huajt, në një shkrim në X, u shpreh se “është krijuar një momentum i ri për t’i çuar përpara marrëdhëniet mes BE-së dhe Kosovës dhe dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit”.
Burimi: botasot.info

