qindra gra te mbeshtetura prezantohet puna trevjecare e historia ime dinjiteti im 6930457069670

​Qindra gra të mbështetura, prezantohet puna trevjeçare e Historia ime, Dinjiteti im

December 3, 2025
min lexim

Në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara është mbajtur konferenca përmbyllëse “Nga heshtja në fuqi: Historia ime, Dinjiteti im”, raporton KosovaPress.

Në Gjilan është prezantuar projekti i financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, i cili përgjatë tri vjetëve ka ofruar mbështetje për gratë dhe vajzat me aftësi të kufizuara, si dhe nënat vetushqyese të fëmijëve me aftësi të kufizuara.

Përmes klinikës mobile, projekti ka ofruar shërbime psiko-sociale dhe ndihmë mjekësore e ligjore me bazë në shtëpi për qindra familje, duke siguruar qasje në kujdes dhe shërbime publike. E gjithë kjo punë nuk ka qenë e lehtë në terren, tha drejtori ekzekutiv i Handikosit në Gjilan, Fatmir Shurdhani.

Shurdhani: Nevojat janë shumë të mëdha

“Nuk e kemi pasur lehtë punën në terren, sepse ka qenë një terren shumë i hapur. Ne jemi munduar të japim maksimumin, megjithatë nevojat janë aq të mëdha që ndoshta ne kemi bërë diçka dhe Handikos ka pasur ekipin mobil ndoshta që nga themelimi, por jo të kësaj natyre. Ne, më herët, kemi ofruar mjete ndihmëse dhe kemi bërë identifikimin e rasteve në terren. Tani kjo dallon shumë prej më herët, klinika mobile ka një përbërje krejt ndryshe, ofrohen shërbime shumë më profesionale, janë ekip profesional, ofrohen shërbime direkte te qytetarët dhe është një kombinim i projektit jo vetëm për nënat vetushqyese, sepse një pjesë të qytetarëve me një mënyrë apo në një tjetër, nuk kemi mundur t’iu dalim në ballë”, tha ai.

Koordinatorja për çështje gjinore pranë Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Majlinda Statovci tha se në përmes këtij projekti në përgjithësi është bërë një punë jashtëzakonisht e madhe.

Statovci: Parimi i Bashkimit Evropian është ‘Askush nuk duhet lënë pas’

“’Askush nuk duhet lënë pas’. Ky parim është ai sipas të cilit ne kemi vendosur edhe me mbështet këtë projekt, por sot është domethënë përmbyllja e këtij projekti, besoj dhe mendoj që gjatë tri vjetëve të kaluara edhe pse unë e kam marrë këtë projekt në mes të implementimit për shkak që kolegia paraprake ka shkuar në pension, mendoj që është bërë një punë shumë e madhe dhe desha të falënderoj në fillim Handikosin në Gjilan, Handikosin në Ranillug dhe Inkluzionin, partnerët që kanë bërë implementimin e projektit. Kanë qenë tri aspekte kryesore që ky projekt i ka përkrahur përfituesit dhe grupet e targetuara. T’iu sigurojë qasje nënave, vajzave, nënave vetushqyese që të avokojnë për të drejtat e tyre, të ngre vetëdijen e shoqërisë dhe angazhimin e publikut për t’i mbështetur këto grupe të ndjeshme, ka siguruar klinikën mobile me shërbime mobile për këto grupe”, u shpreh ajo.

Në këtë punëtori është prezantuar edhe klinika mobile e Handikos Gjilan në adresimin e diskriminimit dhe dhunës së bazuar në gjini te gratë dhe vajzat me aftësi të kufizuara dhe nënat vetushqyese të fëmijëve me aftësi të kufizuara në rajonin e Ferizajt dhe Gjilanit, duke përfshirë edhe Novobërdën.

Qëllimi i këtij projekti është që t’i mundësohet këtij grupi plotësimi i të drejtave themelore për mbrojtje sociale dhe gjithëpërfshirje. Kështu tha mbikëqyrësja e rehabilitimit, Ardiana Bytyçi, e cila tha se gjatë punës në terren janë identifikuar dy kategori të ndjeshme.

Bytyçi: Klinika mobile ka mbuluar 12 komuna, përfituese janë 189 gra

“I ka mbuluar gjithsejtë si klinikë mobile 12 komuna. Ka qenë jashtëzakonisht e vështirë, sepse me një klinikë të vetme merr shumë kohë për t’i mbuluar 12 komuna. Por, ka qenë një punë e jashtëzakonshme për gjatë tri vjetëve që është realizuar. Këto janë organizatat partnere Handikos Gjilan që e ka pasur barrën e klinikës mobile, por të cilës i është bashkuar edhe Inkluzioni dhe Handikos në Ranillug, ku edhe janë mbuluar jo vetëm komuniteti shqiptar, por edhe komuniteti serb dhe rom, dhe kemi pasur Qendrën për Inovacion dhe Zhvillim që është marrë plotësisht me ngritje të vetëdijes edhe me realizim të produkteve të ndryshme multimediale. Këto janë rezultatet direkte gjatë këtyre tri vjetëve, kemi 189 përfituese, prej tyre 40 nëna vetushqyese, 149 gra dhe vajza me aftësi të kufizuara”, tha ajo.

Në kuadër të projektit të financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, është realizuar edhe libri digjital me rrëfime “Historia ime, Dinjiteti im”. Ky libër u jep zë grave dhe vajzave me aftësi të kufizuara, si dhe nënave vetushqyese të fëmijëve me aftësi të kufizuara. Autorja e librit, Shqipe Pajaziti tha se secila nga historitë përfaqëson realitetin në të cilin ato jetojnë.

Pajaziti: Gratë në libër flasin për fëmijërinë, sfidat, arritjet përtej barrierave

“Gjatë takimeve dhe bisedave me gratë, por edhe familjarët e tyre, kemi parë nga afër se me çka realisht përballen këto gra. Ato flasin për fëmijërinë, sfidat, arritjet përtej barrierave por edhe betejat e përditshme e shumë ëndrra të lëna në gjysmë. Historitë e tyre, mbi të gjitha janë dëshmi e vendosmërisë, guximit dhe forcës. Si autore e këtij libri, sfida më e madhe ka qenë që të arrij të shpërfaq historitë e tyre, pa ndikuar përmes shkrimit në ri-viktimizim. Të përmbledhësh këto histori, nuk ishte vetëm proces profesional por edhe emocional”, theksoi Pajaziti.

Zërat e dhjetë grave përfaqësojnë suksesin, disa janë kampione në not dhe atletikë, shkrimtare, psikologe, aktiviste dhe skiatore.

Ideatore e këtij projekti ka qenë Ardiana Bytyçi, redaktore e librit Nërenxa Jakupi, përkthyes Mjellma Koshi dhe Selatin Bunjaku dhe dizajner Andi Krasniqi. Në këtë punëtori janë prezantuar edhe dokumentet e analizës së politikave mbi situatën e grave me aftësi të kufizuarave. 

Burimi: botasot.info

VERO JUMBO MACEDONIA

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

akuzat per korrupsion mogherini 10 ore ne pyetje procedura ishte transparente 69304484f20d3
Lajmi i mëparshëm

Akuzat për korrupsion, Mogherini 10 orë në pyetje: Procedura ishte transparente

ende me duket sikur jam ne enderr blero ndan dedikimin per shpat kasapin 69304695c91d4
Lajmi i radhës

“Ende më duket sikur jam në ëndërr”, Blero ndan dedikimin për Shpat Kasapin

Të fundit nga

Genci ka një pyetje të thjeshtë: Pse na dy?

Muzika është pasion i tij. E së fundmi, artisti Genci ka lansuar edhe një këngë të re, duke përmbushur këtë pasion. Ai në kanalin Youtube ka hedhur projektin muzikor, të titulluar ‘Pse
ShkoLartë