Qeveria në detyrë ka ndarë 1.6 milionë euro për programin “Bursa e Mobilitetit” për studentë. Sipas këtij programi do të përfitojnë 10 mijë studentë, ku niveli i bursës do të përcaktohet nga vendbanimi ku jetojnë dhe vendi ku studiojnë. Ekzekutivi në mbledhjen e sotme mori edhe një sërë vendimesh, ku mes tjerash vendosi regjimin e vizave për qytetarët e shtetit të Fixhit. Krahas këtyre, Qeveria në detyrë shpronësoi disa prona për projekte infrastrukturore, në veçanti për kyçjen e komunës së Vitisë në autostradën “Arbër Xhaferi”. Ndërkaq, nisi procesin për nisjen e procesit për ngritjen e një memoriali për familjen Jashari dhe Epopenë e UÇK-së në bashkinë arbëreshe në Itali, raporton KosovaPress.
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, tha se programi për bursa të mobilitetit do të ketë impakt të madh për studentët.
“Shuma prej 1.65 milionë euro që ndahen për mbështetjen e studentëve, apo konkretisht programin ‘Bursa e Mobilitetit’, e cila për herë të parë fillon zbatimin dhe do të mbështesë grupin e parë sosh prej 10 mijë studentëve. Ndërkohë presim edhe konfirmimin nga universiteti sa i përket vijueshmërisë dhe aktivitetit të studentëve. Është një program që do të ketë impakt të jashtëzakonshëm, sidomos për studentët që vijnë nga familjet që s’kanë mundësi dhe vijnë nga zona më të largëta të vendit. Niveli i bursës do të përcaktohet varësisht nga vendbanimi ku jeton dhe vendi ku studiojnë”, tha ai.
Ekzekutivi në detyrë ndau edhe mbi 700 mijë euro për rinovimin e depos qendrore të barnave, për çka ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se funksionalizimi i të njëjtës mbetet çështje ditësh.
“Më në fund Kosova, sistemi publik po bëhet me një depo qendrore të barnave që do të garantojë cilësi dhe digjitalizim të procesit, që do të thotë jashtëzakonisht shumë për spitalet tona”, deklaroi ai.
Qeveria arsyetoi vendosjen e regjimit të vizave për Republikën e Fixhit, siç tha ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, për shkak të harmonizimit të politikës së vizave me Bashkimin Evropian.
“Kosova ka regjim pa viza me 17 shtete që ndodhen në listën e vendeve që BE-ja aplikon regjim të vizave. Rregullorja që i dha statusin e Kosovës për lëvizje pa viza thekson qartë se për të siguruar një menaxhim të rregullt të emigracionit, Republika e Kosovës duhet të synojë harmonizimin e plotë të politikës së saj me atë të BE-së. Kosova është zotuar të harmonizojë politikën e saj të vizave me atë të BE-së, duke shfuqizuar gradualisht marrëveshjet për lëvizje pa viza me shtete për të cilat BE-ja kërkon vizë për të paktën një shtet në vit, duke filluar nga viti 2025”, tha ajo.
Në anën tjetër, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, bëri të ditur nisjen e procesit për ngritjen e një memoriali për familjen Jashari dhe Epopenë e UÇK-së në bashkinë arbëreshe në Itali.
“Duke nisur procesin e ngritjes së një memoriali për familjen Jashari dhe Epopenë e UÇK-së në bashkinë arbëreshe në Itali. Ky projekt do të jetë donacion i Qeverisë sonë për komunitetin arbëresh në Itali”, tha Kurti.
Qeveria në detyrë po ashtu vazhdoi mandatin e komisionit për verifikimin e diplomave për qytetarët e komunitetit serb që studiojnë në Universitetin në Mitrovicë të Veriut.5
Burimi: botasot.info


