Nuk kanë fund çuditë e qeverisë së Edi Ramës. Teksa në fillim të javës deklaroi se do të miratohet një Kod Etike në PS, ku asnjë deputet nuk duhet të ketë të afërm në administratë, sot ka bërë zëvendës të Pirro Vengut në Ministrinë e Mbrojtjes, djalin e tezes së tij.
Pak më parë janë zbardhur vendimet e qeverisë të miratuara në mbledhjen e sotme, dhe Rama ka emëruar Andrea Shllakun zëvendës-ministër të Mbrojtjes. Ai është djali i tezes së ministrit aktual të Mbrojtjes, Pirro Vengu.
Por kush është Andrea Shllaku?
Gjatë tre viteve të fundit ka mbajtur pozicionin e Përgjegjësit të Shërbimeve të Brendshme në Kryeministri, ku detyra kryesore ishte planifikimi dhe realizimi i operacioneve logjistike në nivelin më të lartë të qeverisë.
Më tej, ka shërbyer për 3 vjet si shef i kabinetit të Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv në Autoritetin Portual Durrës, dhe më pas për dy vjet si Drejtor i Divizionit Operacional, duke mbikëqyrur operacionet portuale.
Së fundmi, ka ushtruar rolin si Këshilltar i Jashtëm për Infrastrukturat Portuale pranë Ministrisë së Mbrojtjes.
Nëse kthehemi pas në kohë, Pirro Vengu, para se të emërohej në krye të Ministrisë së Mbrojtjes, ka qenë Drejtor i Portit të Durrësit. “Pamfleti” e ka denoncuar disa vite më parë se si ai kishte punësuar aty djalin e tezes. Pas largimit nga porti, Vengu e ka marrë atë si këshilltar në ministri, dhe sot Rama e ka çuar deri në fund “qokën”, duke e bërë zv.ministër.
Nuk dihet nëse Rama ka dijeni që ata janë të afërm apo është mashtruar, por ky emërim përbën një skandal; dy djem teze do të drejtojnë Ministrinë e Mbrojtjes.
Ky nuk është rasti i parë kur Rama mbush qeverinë me kushërinj. Pak kohë më parë, pjesë të kabinetit kanë qenë Vasilika Vjero dhe Silda Çepe, të dyja kushërira të afërta të tij. Siç duket, pasi ka sistemuar të vetët, tani po u bën “qokat” edhe kushërinjve të ministrave.
Burimi: botasot.info


