Pas një takimi të partnerëve të koalicionit dhe pak para votimit të gjashtë të mosbesimit ndaj kabinetit, kryeministri bullgar Rosen Zhelyazkov njoftoi në një konferencë për media se qeveria po jep dorëheqje.
“Nuk kemi dyshim se qeveria do të marrë mbështetje në votimin e ardhshëm të mosbesimit. Megjithatë, vendimet e Kuvendit Kombëtar kanë rëndësi kur ato pasqyrojnë vullnetin e popullit. Ne po e dëgjojmë zërin e qytetarëve që po protestojnë, dhe po ashtu dëgjojmë edhe kërkesat e tyre, të cilat përfshijnë dorëheqjen e qeverisë,” tha kryeministri. Sipas tij, protestat e ditëve të fundit në Bullgari janë protesta për vlera dhe sjellje, jo sociale.
Votimi i gjashtë i mosbesimit ndaj kabinetit të Rosen Zhelyazkov u propozua për shkak të dështimit të qeverisë në politikën ekonomike, që çoi në disa nga protestat më të mëdha në Bullgari. Kërkesa u paraqit të premten e kaluar nga 61 deputetë të PP-DB, Aleancës për të Drejtat dhe Liritë dhe MECH. Opozita theksoi rolin e liderit të DPS – Fillim i Ri, Delyan Peevski, i cili është sanksionuar sipas Aktit Magnitsky, në qeverisjen e vendit. Forca e katërt më e madhe parlamentare merr pjesë si partner joformal në marrjen e vendimeve të rëndësishme për shtetin, raporton BNR.
Votimi ishte planifikuar të mbahej në orën 13:30, por grupi i ITN, që është partner koalicioni në qeveri, kërkoi një pushim 30-minutësh, pa dhënë shpjegime. Pas kësaj, kryeministri Rosen Zhelyazkov dha një konferencë në të cilën njoftoi dorëheqjen e qeverisë.
Pas deklaratës së kryeministrit Zhelyazkov në parlament, vijoi votimi i mosbesimit. Për shkak të mungesës së kuorumit, votimi u shpall i pasuksesshëm dhe seanca u mbyll.
Burimi: botasot.info


