Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj ka deklaruar se mandati i tij është i vlefshëm dhe do të vazhdojë të marr pjesë në mbledhjet e Këshillit Prokurorial të Kosovës deri në një vendim të formës së prerë gjyqësor që e përcakton ndryshe. Këtë deklaratë Qalaj e bëri pas kërkesës që anëtari i KPK-së, Veton Shabani e kishte drejtuar tek Këshilli Prokurorial i Kosovës përmes të cilës kishte kërkuar që ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit të mos marr pjesë në mbledhjet e KPK-së.
Kjo kërkesë u lexua nga kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Ardian Hajdari qysh në nisjen e mbledhjes së radhës të këtij institucioni.
Kërkohet mospjesëmarrja e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit në KPK – Hajdari lexon kërkesën e Shabanit
“Siç jeni në dijeni situata e krijuar së fundmi në Këshill është jo vetëm e padëshirueshme, por edhe jashtë kornizave të ligjshmërisë. Pas mbledhjes të datës 1 dhjetor 2025 e cila u mbajt menjëherë pas shkarkimit të kundërligjshëm të ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi u informuam vetë nga Kelmendi se në përputhje me ligjin për përgjegjësi disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve ai ka mbajtur ankesë në Gjykatën Supreme të Kosovës. Prokurori, Agron Qalaj nuk është dashur të marr pjesë në atë takim ngase neni 15 paragrafi 2 i ligjit përcakton efektin suspenziv të vendimit. Ankesa ndaj vendimit të Këshillit ka efekt suspenziv dhe ndaloj implementimin e atij vendimi derisa shqyrtohet ankesa…Ju si kryesues i KPK-së jeni përgjegjës për të siguruar zbatimin e ligjshmërisë andaj është e domosdoshme të reflektoni dhe zotërinë Qalaj të mos marr pjesë në mbledhjen e ardhshme pa një vendim të Gjykatës Supreme dhe Gjykatës së Apelit”, tha ai.
Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj kësaj kërkese iu përgjigj duke thënë se do të marr pjesë në mbledhjet e KPK-së deri në një vendim të formës së prerë.
Qalaj: Mandati im është i vlefshëm
“Bazuar në dispozitat ligjore dhe aktet në fuqi mandati im si ushtrues detyre i Kryeprokurorit të Shtetit është plotësisht i vlefshëm. Do të vazhdojë të ushtrojë detyrat e mia dhe të marr pjesë në mbledhjet e Këshillit deri në një vendim të formës së prerë që përcakton ndryshe”, theksoi u.d e Kryeprokurorit të Shtetit.
Qalaj potencoi se kërkesa për përjashtim të tij nga mbledhjet e Këshillit Prokurorial të Kosovës duhet të mbështetet në dispozita ligjore.
Qalaj: Kërkesa për përjashtim nga mbledhjet duhet të mbështetet në dispozita të qarta ligjore të cilat në këtë rast mungojnë
“Ligji nuk parashikon asnjë formë të shtyrjes së hyrjes në fuqi të këtyre vendimeve dhe ushtrimi i mandatit tim nuk kushtëzohet me asnjë procedurë ankimore. Pjesëmarrja ime në këtë mbledhje është rrjedhojë e drejtpërdrejtë e dispozitave ligjore dhe vlefshmërisë së vendimeve të Këshillit. Lidhur me pretendimin për efekt suspenziv sipas nenit 15 të të ligjit për përgjegjësi disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve neni 15 i ligjit rregullon ekskluzivisht procedurat disiplinore ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve. Vendimet e Këshillit për caktimin ose shkarkimin e një u.d nuk janë masa disiplinore nuk bie në fushëveprimin e këtij ligji. Prandaj, aplikimi i kësaj dispozite për të pezulluar një vendim kolegjial është juridikisht i pambështetur….Pozita e u.d të Kryeprokurorit të Shtetit përfshinë detyrim ligjor për të marr pjesë në punën e Këshillit në cilësinë e anëtarit eksoficioi çdo kërkesë për përjashtim nga mbledhjet duhet të mbështetet në dispozita të qarta ligjore të cilat në këtë rast mungojnë..ndërprerja e funksioneve të Këshillit apo e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit në pritje të procedurave gjyqësore do të krijonte pasiguri juridike dhe precedent të papranueshëm”, tha ai.
Përkundër këtij deklarimi, anëtari i KPK-së, Veton Shabani kërkoi të respektohet neni 15 i Ligjit për Përgjegjësi Disiplinore me qëllim të mos bëhen shkelje të tjera ligjore.
Shabani kërkon të respektohet neni 15 i Ligjit për Përgjegjësi Disiplinore
“Neni 15 është shumë i qartë dhe mund t’i qaseni kushdo ligjit për përgjegjësinë disiplinore dhe paragrafi 2 shkruan ‘Ankesa ndaj vendimeve të Këshillit ka efekt suspenziv dhe ndalon implemtimin e atij vendimit derisa të shqyrtohet ankesa’ andaj kemi të bëjmë me një të drejtë kushtetuese të cilën e ka shfrytëzuar Kelmendi i shkarkuar në mënyrë të kundërligjshme pa kuorum, ndërsa zotëri Qalaj po do me përligj atë, por ligji e tregon atë dhe vendimet gjyqësore jo ju”, tha ai.
Tutje, gjatë kësaj mbledhje anëtari i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Veton Shabani kërkoi që pika për Themelimin e Komisionit Ad-hoc ndaj një anëtari të Këshillit të hiqet nga rendi i ditës.
Sipas tij nuk ka asnjë element dhe asnjë bazë që tregon se anëtari i KPK-së, Arian Gashi ka bërë shkelje.
Mbledhja e KPK-së, Shabani kërkon të hiqet pika e 6 nga rendi i ditës
“Pikën 6 të rendit të ditës e kemi shqyrtimi i kërkesës për Themelimin e Komisionit Ad-hoc ndaj një anëtari të Këshillit dhe këtë e keni dërguar ju si shkresë në të cilën ju keni drejtuar Këshillit për fillimin e një procedure disiplinore ndaj anëtarit të Këshillit, Arian Gashi dhe ju duke e shfrytëzuar foltoren e Këshillit dhe duke e keqpërdorur foltoren e Këshillit keni lexuar një mesazh ku kanë komunikuar dy persona të tjerë një prokuror dhe një prokurore në të cilin ata përmendin emrin e zotëriut Arian Gashi ndërsa fare nuk ishte i përfshirë Arian Gashi dhe ju e keni paraqitur në publik sikur të ishte mesazh i z.Gashi dhe besoj që keni reflektuar edhe vetë ju në veçanti pas sqarimeve që i ka dhënë prokurori, dhe besoj se nuk ka vend të trajtohet ajo pikë.. nuk ka bazën dhe elementin më të vogël të ndonjë shkelje përkundrazi nëse do të ketë shkelje aty do të ketë dikush shkelje sepse ju personalisht jeni përfshirë në këtë diskutim në këtë debat dhe personalisht ju keni iniciuar procedurat ju jeni palë aty”, tha ai.
Kundër këtij propozimi ishte kryesuesi i KPK, Ardian Hajdari i cili tha se pika 6 e rendit të ditës nuk do të tërhiqet.
Hajdari dhe Shabani debatojnë rreth pikës 6 të rendit të ditës
“Hajdari: Kjo kërkesë nuk tërhiqet dhe kam qenë i obliguar ta paraqes..Shabani: Ju jeni palë kryesues nuk mund të merrni pjesë as në këtë pikë të rendit të ditës ”, tha ai.
E pas një pauze disa minutëshe, kryesuesi i KPK-së, Ardian Hajdari tërhoqi pikën e 6 të rendit të ditës duke u thirr në atë se krijimi i Komisionit Ad-Hoc ndaj një anëtarit ë KPK-së është e pasafatshme.
Hajdari: Kjo kërkesë është pasafatshme dhe e tërheqë nga rendi i ditës
“Pas konsultimeve me anëtarët e Këshillit duke e vlerësuar nenin 6 paragrafin 1 ku përcaktohet se kryesuesi i Këshillit në pajtim me nenin 11 të Ligjit të KPK-së brenda 15 ditësh nga data e pranimit të parashtresës së palës apo indikacion për kryerje të sjelljes së pahijshme themelon Komisionin Ad-Hoc për të hetuar sjelljen e pahijshme duke vlerësuar në pajim me këtë nen konsideroj se kjo kërkesë është pasafatshme dhe e tërheqë nga rendi i ditës”, theksoi Hajdari.
Ndërsa, Këshillit Prokuorial i Kosovës vendosi me votë që pika e rendit të ditës për Komisionin për Rekrutimin e Prokurorëve, i datës 04.12.2025 të diskutohet pa praninë e medieve.
Po në këtë mbledhje, anëtarët e Këshillit Prokuroriual të Kosovës miratuan vendimin që kryesuesi i këtij institucion, Ardian Hajdari ta nënshkruaj marrëveshjen e bashkëpunimin me Këshillin të Lartë së Prokurorisë të Shqipërisë./
Burimi: botasot.info


