36
Shkup, 9 dhjetor – Presidenti rus Vladimir Putin ka nënshkruar një dekret me të cilin e shkarkon Sergej Bazdnikinin nga funksioni i ambasadorit të Rusisë në Maqedoninë e Veriut.
Në dekretin presidencial të publikuar sot në portalin zyrtar të akteve juridike të Rusisë thuhet:
“Të lirohet Sergej Aleksandrovich Bazdnikin nga detyra e ambasadorit të jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i Federatës Ruse në Republikën e Maqedonisë së Veriut.”
Nuk është bërë e ditur arsyeja e shkarkimit të diplomatit 58-vjeçar, i cili ishte ambasador në Shkup që nga viti 2018. Mandati i tij u shënua nga tensione diplomatike mes dy vendeve, sidomos pas agresionit rus ndaj Ukrainës në vitin 2022, kur Moska dëboi diplomatë maqedonas për shkak të mbështetjes së Shkupit për Kievin, ndërsa MPJ-ja maqedonase u përgjigj me masa reciproke duke dëbuar diplomatë rusë.
Mediat ruse kujtojnë se Putini në shtator shkarkoi edhe ambasadorët e Rusisë në Turqi dhe Uzbekistan. Për momentin, nuk ka njoftime zyrtare se kush pritet ta zëvendësojë Bazdnikinin në postin e ambasadorit në Shkup.
Burimi: zhurnal.mk


