A është gjinia në lindje rastësi e pastër? Çfarë tregon studimi i Harvardit për familjet me fëmijë të së njëjtës gjini
A jeni pyetur ndonjëherë pse në një familje lindin vetëm djem ose vetëm vajza? Nëse po, nuk jeni të vetmit – kjo pyetje ka intriguar edhe shkencëtarët nga Harvard, të cilët kanë kryer një studim për të gjetur përgjigjen.
Studimi u bazua në të dhëna nga më shumë se 146,000 shtatzëni të infermiereve në SHBA, nga Nurses’ Health Study (të dhëna midis viteve 1956 dhe 2015), me rreth 58,000 gra që morën pjesë, për të përcaktuar çfarë ndikon në gjininë e foshnjës.
Devijimet nga shpërndarja e thjeshtë binomiale ishin më të theksuara kur e përjashtuam lindjen e fundit të secilës grua, për të zvogëluar ndikimin e sjelljes së ndërprerjes së lindjeve në bazë të gjinisë. Pas përjashtimit të lindjes së fundit, mosha më e madhe e nënës në lindjen e parë u shoqërua me gjasa më të larta për të pasur pasardhës vetëm të një gjinie.
Kur gjinia përsëritet
Në familjet me dy fëmijë, më së shpeshti prindërit kanë një djalë dhe një vajzë. Por kur bëhet fjalë për familje me tre ose më shumë fëmijë, situata ndryshon: në këto familje ka më shumë gjasa të lindin vetëm djem ose vetëm vajza. Me fjalë të tjera, nëse tashmë keni disa fëmijë të së njëjtës gjini, rritet mundësia që edhe fëmija tjetër të jetë po i së njëjtës gjini.
Përveç kësaj, studimi i ri nga Harvard ka treguar se nëse tashmë keni disa fëmijë të së njëjtës gjini, kjo ul shanset që fëmija i ardhshëm të jetë i gjinisë së kundërt. Më thjesht: në familjet me tre djem, gjasat që edhe fëmija tjetër të jetë djalë janë 61 për qind. Në familjet me tre vajza, gjasat që fëmija tjetër të jetë vajzë janë 58 për qind. Këto rezultate janë publikuar në revistën Science Advances, përcjell Telegrafi.
Pse disa të rritur mezi flasin me prindërit? Psikologët tregojnë 10 përvoja të dhimbshme
“Këto zbulime tregojnë se nuk është e vërtetë ajo që u thuhet prindërve për gjininë e foshnjës, se në çdo shtatzëni shanset janë 50-50 për të pasur një fëmijë të caktuar gjinie. Duke marrë parasysh këto zbulime, shanset që prindërit të kenë një fëmijë të gjinisë së kundërt nga ajo që tashmë kanë janë më të vogla se 50:50”, shpjegon gjinekologu dhe studiuesi nga Universiteti i Melburnit, Dr. Alex Polyakov.
“Nëse keni dy ose tre vajza dhe dëshironi të keni një djalë, duhet të dini se shanset nuk janë 50:50”, shton autori kryesor i studimit, Jorge Chavarro. “Gjasat janë më të mëdha që të keni sërish një vajzë.”
Ajo që është edhe më interesante është se edhe mosha kur gratë lindin fëmijën e tyre të parë luan rol në “përcaktimin” e gjinisë. Gratë që lindën fëmijën e parë në moshën 29 vjeç ose më vonë kishin 13 për qind më shumë gjasa të lindnin fëmijë të së njëjtës gjini, krahasuar me ato që filluan të lindnin para moshës 23 vjeç. Nëse pyesni pse, shkencëtarët mendojnë se kjo lidhet me vlerën e pH-së së vagjinës. Me kalimin e viteve, “kimia” e trupit të gruas ndryshon dhe kjo potencialisht mund të ndikojë në favor të kromozomit X ose Y.
Sigurisht, edhe faktorët që lidhen me babanë ndikojnë në gjininë e foshnjës, megjithëse ata nuk janë shqyrtuar në këtë studim.
“Do të duhen ndoshta vite derisa të kuptojmë plotësisht pse në disa familje lindin vetëm fëmijë të një gjinie ose tjetrës, por ky studim është një fillim i mirë,” thekson Chavarro.
Nevojiten studime të mëtejshme për të përcaktuar se në çfarë mase secili prej këtyre faktorëve e shpjegon këtë dukuri. Deri atëherë, familjet që dëshirojnë fëmijë të të dy gjinive, por që tashmë kanë dy ose tre fëmijë të së njëjtës gjini, duhet të jenë të vetëdijshme se përpjekja për të pasur një tjetër është sikur të hidhnin një monedhë me dy anë të njëjta.
Burimi: botasot.info


