Një 48-vjeçare ka humbur jetën këtë të dielë, më 16 nëntor, në banesën e saj në lagjen nr. 15 të Korçës dhe familjarët e saj po fajësojnë mjekët.
Kjo sepse siç raporton gazetarja e Klan News, Daniela Zisi, 48-vjeçarja Gentiana Nano kishte shfaqur probleme shëndetësore dy ditë më parë dhe ishte paraqitur në urgjencën e spitalit të qytetit, ku u trajtua për vështirësi në frymëmarrje dhe më pas u dërgua në shtëpi.
Sipas familjarëve, një ditë pas vizitës së parë, gjendja e saj u përkeqësua sërish. Ata njoftuan ambulancën dhe mjeku i urgjencës i aplikoi disa injeksione, pasi 48-vjeçarja kishte tension të ulët dhe rrahje të larta të zemrës. Megjithatë, edhe pas ndërhyrjes, ajo vijoi të ndihej keq. Mëngjesin e sotëm, gruaja është gjetur e pajetë në dhomën e saj nga djali dhe babai.
Djali i viktimës, Erdiol Nano, akuzoi mjekët e spitalit të Korçës se nuk kanë treguar kujdesin e duhur ndaj nënës së tij.
“Mami thoshte që nuk jam mirë, e ndjej veten të lodhur dhe kam rrahje të larta të zemrës. Nuk ishte mirë dhe tha do vemë në spital. E çuam, ju bënë kontrollet, i thanë që kishte anemi, i dhanë disa mjekime dhe u larguam. Ajo vazhdonte të thoshte që nuk ndihem mirë, por doktorët s’na thanë asgjë dhe e nxorrën. Si mundet të lësh një njeri të largohet kur ai të thotë nuk ndihem mirë? Ditën tjetër përsëri tha që s’jam mirë dhe lajmëruam ambulancën. Na thanë që e ka tensionin e ulët, rrahjet e zemrës të larta dhe i bënë tre gjilpëra. Gjatë ditës mami ankohej sërish që nuk ishte mirë. Sot në mëngjes u ngrit, mori për të ngrënë dhe ishte në dhomën e saj. Gjyshi më tha hajde foli mamit se s’po na përgjigjet. U ngrita dhe shkova atje, e pashë të shtrirë, e kuptova që kishte ndërruar jetë. Dua të di përse mjekët nuk na thanë çfarë duhet të bënim? Pse nuk e lanë në spital por e nxorrën? Si e lanë të ikte nga spitali në atë gjendje? Sot më ndodhi mua, nesër mund t’i ndodhë dikujt tjetër.”, ka deklaruar i biri.
Policia e Korçës ka nisur marrjen e deklarimeve nga familjarët dhe pritet të pyeten edhe mjekët që kanë qenë në shërbim gjatë dy ditëve të fundit. Ndërkohë, trupi i 48-vjeçares do t’i nënshtrohet autopsisë për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes.
Burimi: botasot.info


